Bajerni rinovon me “Robberi”

Bajerni i Mynihut po bën gati planin e së ardhmes. Riberi, Roben, Rafinja dhe Alonso, janë ende në udhëkryq. Kontratat e tyre skadojnë në fund të sezonit. Të katër lojtarët bëjnë pjesë në gjeneratën e veteranëve U-30 (Riberi 33 vjeç, Roben 32, Alonso 34, Rafinja 31) që rritin mesataren e moshës në klub.
Ndërkohë, bosi bavarez Karl-Hainc Rumenige ka dhënë sinjalet e para për zgjatjen e kontratave me katër futbollistët. “Bisedimet tona do të vazhdojnë. Nuk kemi arritur ende në finalizimin e tyre. Këtë temë nuk kemi pse ta diskutojmë në media. Nuk do t’u biem kambanave dhe t’u themi gazetarëve, ejani në “Säbener Straße” dhe na dëgjoni se çfarë flasim”, nënvizoi Rumenige pas fitores 2-0 kundër Gladbahut.
Shefi i Ekzekutivit kërkon që sekretet të mos dalin në publik. Sipas mediave, mesfushori francez e ka të sigurt rinovimin për një vit, edhe pse dëmtohet shpesh. Ndërsa për Robenin, drejtuesit duan të presin edhe pak. “Pa diskutim që Roben po luan sërish në nivele të larta. Nuk jemi kundër rinovimit të tij. Ne e dimë që i skadon kontrata më 30 qershor 2017. Nuk janë vetëm Riberi dhe Roben, por edhe Alonso me Rafinjën”, sqaron 61-vjeçari gjerman.
Kujtojmë që 32-vjeçari holandez, Arjen Roben, ka zhvilluar 146 ndeshje në Bundesligë me fanellën e Bajernit nga viti 2009. Mesfushori ka shënuar 79 gola për rekordmenët.
Për Ançelotin dhe Vajgl, Rumenige ka komentuar më tej sjelljen e Ançelotit, si dhe arsyen pse nuk transferuan Julian Vajgl në 2015-ën nga Mynih 1860. “Ançeloti është një supertrajner. Ai ka eksperiencën e duhur për të rregulluar atmosferën mes lojtarëve. Nuk besoj se ai është kaubojs”, tha Rumenige, duke shtuar për Vajgl:
“Nëse Bajerni u merr një lojtar rivalëve të Mynih 1860, shkaktohet një zhurmë e madhe. Nuk e kishim të vështirë për ta blerë nëse do ta donim. Nuk do të na pëlqente që të na ndodhte si me Jens Jeremies. Pasi transferuam Jeremies nga Mynih 1860, pati pakënaqësi dhe vërshëllima nga të dy kampet e tifozërisë”.

Artikulli paraprakDe Boer qëndron!
Artikulli tjetërKostoja e lartë e një fushate premtimesh