Bajerni po luan me zjarrin

“Një lojë me zjarrin”. Kështu e quan Lotar Mateus hendekun mes fytyrës që Bajerni shfaq në Bundesligë dhe asaj në Champions. Por cili ka qenë përfundimi deri në këto momente?
“Deri tani ata nuk janë djegur”, thotë rekordmeni i prezencave me kombëtaren gjermane. Bajerni i Europës dhe ai i Gjermanisë ka shfaqur dy forma krejtësisht të ndryshme deri në këto momente. Pas fitores spektakolare 5-1 ndaj Arsenalit në Champions, skuadra e Ançelotit iu rikthye paraqitjeve të plogështa në Bundesligë dhe ndaj Hertës së Berlinit i shpëtoi nga humbja një gol i Lewandowskit në minutën e 96-të.
Mateus e mirëkupton menaxhimin e forcave deri diku, kur thotë: “Një kalë i mirë nuk kërcen më shumë seç duhet”. Megjithatë, legjenda e Bajernit e shikon si të rrezikshme uljen e qëllimshme të ritmit gjatë një sezoni: “Kjo është si të luash me zjarrin. Por deri tani Bajerni nuk është djegur. Bajerni ka qenë gjithnjë aty sa herë është thirrur në detyrë”.
Por dy fytyrat që shfaqin kampionët duhen analizuar më thellësisht për 55-vjeçarin: “Unë e kam parë këtë te Bajerni që kur ka ardhur Ançeloti. Kam parë ndeshjet e shkëlqyera në fillim të sezonit kundër Bremenit, ndeshjen në shtëpi ndaj Atletikos në Champions, duelin e rëndësishëm kundër Lajpcigut, por edhe ndeshjen kundër Arsenalit. Por ka disa ndeshje të tjera, ku bavarezët e lënë veten në fatin e klasit të individualiteteve të tyre dhe nevojës për pak fat”.
Mungesën e shkëlqimit të rekordmenëve, Mateus nuk e shikon vetëm në Bundesligë, por edhe në Kupën e Gjermanisë. Bajerni mundi 1-0 Volfsburgun dhe arriti të kualifikohej në çerekfinale. Ata kanë shkëlqyer vetëm një herë në 7 ndeshjet e 2017-ës, por mbeten favoritë si në Bundesligë, ashtu edhe në kompeticionet e tjera. “Në fund të fundit, kjo është e vetmja që ka rëndësi”, shton Mateus dhe vlerëson cilësinë që Ançeloti i ka dhënë skuadrës në aspektin e menaxhimit të energjive:
“Skuadrat e Ançelotit janë mësuar me faktin se ato nuk shkëlqejnë gjithnjë, por fitojnë ndeshjet e rëndësishme”. Nëse vazhdojnë të luajnë kështu deri në fund në Champions, ata do të kenë më shumë se një dorë te trofeu i “preferuar” i italianit. Por nëse tregojnë fytyrën e tyre të Bundesligës në arenën europiane, atëherë kjo mund të ishte fatale. Siç e thotë dhe vetë Mateus… një lojë me zjarrin.

Artikulli paraprakMavraj ndërpret stërvitjen
Artikulli tjetërGabigol: Dua 10-ën e Interit