Axhenda kriminale e Ndranghetës si axhendë kombëtare për Shqipërinë

Nga Red VARAKU

Përgjimet që po publikohen në Itali, ku anëtarë të organizatês famëkeqe të Ndranghetas rezultojnë të përfshirë në një projekt të pashembullt krimi dhe korrupsioni në kryeqytetin shqiptar.

Njeriu kyç që e garanton realizimin e këtij projekti kriminal në Shqipëri është një individ, i cili citohet nga përgjimet të ketë lidhje të forta me kryeministrin aktual dhe me kryetarin e bashkisë së Tiranës.

Nuk është hera e parë që Kapot e Ndranghetës përdorin zyrtarë të korruptuar të vendeve të pazhvilluara për të ushtruar aktivitetin e tyre kriminal me qëllim shndërrimin e këtyre vendeve në lavatriçe të parave të pista të kësaj organizate.

Problemi është se asnjëherë ajo nuk ka arritur të kapë nivele kaq të larta të qeverisë, vetë dorën e djathtë të kryeministrit dhe pasardhësin kryesor të PS.

Pra, Ndrangheta nuk kishte arritur kurrë më parë praktikisht të marrë nën kontroll një shtet të tërë, madje ta kthejë axhendën kombëtare të këtij shteti në funksion të axhendës së saj kriminale.

Kjo nuk kishte ndodhur kurrë më parë, ndaj është alarmuar shteti italian dhe me të drejtë ka një zemërim për mungesën e reagimit të institucioneve shqiptare.

Ndërkohë, të gjithë e dimë që zyrtarët që janë në krye të këtyre institucioneve janë emëruar aty pikërisht nga buratinët e kësaj organizate.

Por, edhe nëse do të kishim institucione të pavarura, drejtësi të pakapur apo prokurorë kurajozë për të luftuar me hibride të tilla, pjella të përdhunimit që Ndrangheta i ka bërë rilindjes (psh shiko fytyrën e Veliajt), sërish kjo nuk do të mjaftonte.

Sepse, lufta me hibride të tilla kriminale, përveç institucioneve të pakorruptuara dhe të pakapura, kërkon vullnet politik të hekurt dhe një reagim masiv qytetar.

Pa vullnet politik të qartë dhe pa një reagim të madh qytetar nuk ka asnjë shans ta fitojmë luftën me këtë përbindësh.

Artikulli paraprakTaulant, Elbasani nuk duron më mashtrime, fjalë boshe e vjedhje ndaj të refuzon me neveri
Artikulli tjetërKryefamiljari invalid tregon mashtrimet për rindërtimin e shtëpisë nga tërmeti: Asnjë zgjidhje, vetëm mashtrime nga Bashkia