Axhenda e Vlahutinit dhe enturazhi i Ramës

“New Europa”

Një burim i brendshëm i Bashkimit Europian ka zbuluar realitetet më të thella dhe më të errëta të qeverisjes dhe administrimit të BE-së. Komisioni Europian ka blerë kohët e fundit një vilë me vlerë 1,65 milionë euro në zonën Rolling Hills në periferi të Tiranës, Shqipëri.
Në këtë vilë jeton kreu i delegacionit të Bashkimit Europian atje, ambasadorja Romana Vlahutin, e cila, sipas raportimeve të agjencisë online të lajmeve “Exit”, mori në dorë negociatat e blerjes së vilës nga firma ligjore që i zhvillonte ato më parë. Fakti më interesant është që raporti thekson se Bashkimi Europian ka shpenzuar një vlerë prej 4,700 eurosh për metër katrorë, ndërkohë që çmimet e reklamuara për vilat e Rolling Hills variojnë nga 1 mijë deri në 2 mijë euro për metër katrorë.

Dyfishi i çmimit

Fakti akoma më befasues se vetë vila e re 1,65 milionë euro, 345 metra katrorë, e Shërbimit të Jashtëm të Veprimit Europian (që mbikëqyr punën e delegacionit), është projekti intensiv i kërkimit që është zhvilluar për ta blerë atë. Një kërkim i thjeshtë në rrjet për “vila në shitje në Rolling Hills, Shqipëri” të shfaq menjëherë disa vila të bukura 3-katëshe në zonën Rolling Hills për një çmim pak më shumë se 850 mijë euro. Ndoshta 600 metra katrorë janë dukur të tepërta për ambasadoren. Pavarësisht kritikave për çmimin më të lartë, çmimi më i ulët për shërbimin e pastrimit të një shtëpie më të vogël dhe norma e lartë e zhvlerësimit për një vilë më madhe, kanë qenë të mjaftueshme për të kompensuar çmimin më të lartë të blerjes.

Transparenca

Në përgjigje të pyetjeve të “New Europe”, zëdhënësja e çështjeve të jashtme të Bashkimit Europian, Maja Koçijançiç, tha se vendimi për të zgjedhur rezidencën e kreut të Delegacionit në Shqipëri ishte “përfundimi i një analize të thellë, përfshirë edhe sondazhet e tregut dhe një vlerësim nga ekspertë të pavarur”. Në përgjigje për dorëzimin e dokumenteve përkatëse, Koçijançiç tha se dokumentet janë bërë publike. Duke qenë se sondazhi i tregut dhe analizat e pavarura nuk mund të gjendjen kudo, “New Europe” dorëzoi kërkesën zyrtare për të pasur akses në këto dokumente dhe që ato të bëheshin publike në interes të transparencës.
Një nga argumentet që duket se është dhënë në favor të blerjes me çmim të lartë është afërsia me delegacionin. Duke qenë se rezidenca ndodhet jashtë Tiranës dhe mjaft larg nga zyrat e BE-së, pothuajse 8 km larg, ky nuk është një argument bindës. Argumenti i balancës ndërmjet çmimit dhe cilësisë është po ashtu pak i besueshëm duke pasur parasysh që Rolling Hills është një qendër rezidenciale relativisht e re dhe se asnjë vilë tjetër deri më tani nuk është shitur aq shtrenjtë.
Megjithatë, Bashkimi Europian vlerëson se “pavarësisht të gjithave, presim kursime neto të konsiderueshme vjetore krahasuar me marrëveshjen e mëparshme të qirasë”.
Marrëveshja e mëparshme e qirasë për rezidencën ishte 8 mijë dollarë në muaj. Mesatarisht, çmimet mujore të qirave për metër katrorë është rreth 13 euro (ose 4,485 euro në muaj për rezidencën prej 345 metra katrorësh). Kjo do të thotë se çmimi i qirasë në Shqipëri është rritur mbi 23 euro për metër katrorë. Gjithsesi, 8 mijë dollarë në muaj janë më shumë para nga sa Komisioni Europian paguan për ndërtesat e zyrave në Bruksel dhe duhet theksuar fakti që Tirana nuk është si Brukseli.

Kush i kryen negociatat?

Sipas një dokumenti të EEAS është kreu i delegacionit personi përgjegjës për negociatat dhe kontratat. Në fakt siç mund të shihet nga kontrata e blerjes së vilës në Rolling Hills, ambasadorja është pala nënshkruese. Megjithatë, kur e pyetën nëse kreu i delegacionit i kishte marrë në dorë negociatat nga kompania ligjore, zëdhënësja e BE-së pretendoi se negociatat, të cilat kanë filluar përpara emërimit të kreut aktual të delegacionit, janë kryer nga kreu i administrimit të delegacionit dhe janë kontrolluar dhe finalizuar nga EEAS.

Marrëdhënia e Shqipërisë me korrupsionin dhe delegimin

Kjo çështje është veçanërisht e ndjeshme në Shqipëri, ku korrupsioni është një realitet i jetës së përditshme. Indeksi vjetor i Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2016 e renditi Shqipërinë në vendin 86, me një pikë më shumë se Mongolia dhe Zambia. Më tej, sipas Raportit të Vlerësimit të Korrupsionit në Shqipëri për vitin 2016, “një në dy persona të rritur në Shqipëri pranojnë se i është kërkuar në mënyrë direkte ose tërthortë ryshfet nga një zyrtar publik (49,6%). Kjo tregon rritje të presionit të korrupsionit nga zyrtarët publikë kundër qytetarëve krahasuar me vitin 2014 me 5 për qind”.
Këto fakte identifikohen edhe në Raportin e Komisionit Europian për vitin 2016 për Shqipërinë ku shkruhet: “Korrupsioni vazhdon të jetë mbizotërues në shumë fusha dhe vazhdon të jetë një problem serioz. Nevojiten më shumë përpjekje për të mposhtur korrupsionin në nivelet e larta. Administrimi i drejtësisë vazhdon të jetë i ngadaltë dhe jo eficent. Korrupsioni prevalon në këtë sektor. Policia ndodhet nën presionin e korrupsionit dhe presionit politik dhe mungon hetimi i thellë për çështjet e krimit të organizuar. Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit vazhdon të jetë e domosdoshme për të parandaluar infiltrimin e krimit në sistemet politike, ligjore dhe ekonomike”.
Delegacioni i Komisionit Europian në Tiranë ka gjithashtu një histori sjelljeje problematike. Sipas EU Observer në vitin 2007, dy italianë, një zyrtar i KE-së dhe një tjetër asistent i PE-së, janë arrestuar për korrupsion pasi dyshoheshin për marrje ryshfeti nga kompanitë imobilare dhe ato të sigurimeve në këmbim të kontratave të qirasë, pajisjes dhe sigurisë për ndërtesat e komisionit në Nju Dehli dhe Tiranë.

Axhenda e Vlahutinit dhe enturazhi i Ramës

Hulumtimi i mëtejshëm rreth ambasadores Vlahutin tregon se, Vlahutini bëri deklarata publike që bien ndesh me pozicionin zyrtar të Komisionit Europian në lidhje me përparimin e bërë në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë- ndërkohë që qëndrimi i Komisionit ishte shumë më i qartë për hapat që i kërkohet të ndërmarrë Shqipëria.
Një burim në Tiranë i tha «New Europe»-s se, “Vlahutini nuk bën shumë përpjekje për të fshehur mbështetjen e saj për Edi Ramën (Kryeministrin e Shqipërisë). Ndoshta dikush duhet të shikojë se çfarë interesash ka enturazhi i Ramës në Rolling Hills”.

Artikulli paraprakBrukseli pezulloi turpin e Bashkimit Europian në Shqipëri
Artikulli tjetërArtistët me NIPT, detajet se si duhet të veprojnë