Avokatja e Shtetit: Rama bllokoi hetimet ndaj CEZ

Ish-Avokatja e Shtetit, Ledina Mandia, zbuloi një tjetër skandal të qeverisë shqiptare, në marrëveshjen e saj me kompaninë CEZ, për tërheqjen nga arbitrazhi. Me cilësinë e dëshmitares në komisionin hetimor të prishjes së kontratës me CEZ, nga ana e shtetit shqiptar, Mandia vlerësoi se Shqipëria kishte të gjitha shanset për të fituar në arbitrazh ndaj CEZ. Nga ana tjetër, Mandia zbuloi se në marrëveshjen e qeverisë Rama me CEZ u fsheh dhe nuk u prit përfundimi i kallëzimit penal, që ishte bërë ndaj CEZ. “Ne ishim optimistë për arbitrazhin. Pretendimet tona ishin të argumentuara nga ekspertë ndërkombëtarë të kontraktuar. Ndërsa CEZ nuk kishte argumente. Unë ndjehem e keqardhur se, Shqipëria kishte shanse që të ishte në pararojë ndaj CEZ. Për vlerën, nuk e di, se ishin ekspertët ata që duhet ta nxirrnin një shumë të tillë. Nga ana jonë bëmë kallëzim penal ndaj CEZ, si edhe kontaktova edhe vetë me kryeprokurorin Adriatik Llalla. Por kur kam parë marrëveshjen e qeverisë shqiptare me CEZ, për tërheqjen nga arbitrazhi, kam lexuar se ‘nuk ka pasur kallëzim penal’. Kjo është një pasaktësi, kallëzim ka pasur. Mund të jetë mbyllur hetimi, është çështje tjetër. Ndjehem e keqardhur edhe për këtë pasaktësi”, tha Mandia. Përballë këtij skandali të prezantuar nga ish-Avokatja e Shtetit Ledina Mandia, kryetari i komisionit hetimor, Edmond Spaho, propozoi që t’i adresohen Prokurorisë, me një shkresë, prej nga ku të kërkohet informacion mbi ecurinë dhe fatin e hetimeve, për kallëzimin ndaj CEZ.
Më tej në dëshminë e saj, Mandia shtoi se CEZ nuk bëri asnjë investim në përmbushje të detyrimeve kontraktuale me shtetin shqiptar. Përpos kësaj, bënte shpenzime për paga të larta e makina luksi. Në një përfundim të tillë ka arritur dhe avokati ndërkombëtar i kontaktuar nga shteti shqiptar. “Në tetor 2012 u vumë në dijeni të konfliktit shtet-CEZ. Në raste të tilla bëhet kontraktimi i studiove ligjore. U ngrit grupi punës dhe u kontraktua një studio ligjore. Thelbi i nisjes së konfliktit, ishte, mosfurnizimi me energji, si dhe mosinvestimet nga ana e CEZ. U bënë përpjekje për gjetjen e një zgjidhjeje”, u shpreh Mandia. “Më 4 dhjetor 2012 është bërë një takim në Vjenë, bazuar në një plan veprim të bërë nga avokati i çështjes. Në këtë moment është shtruar një platformë. Nga kompania CEZ është kërkuar që çështja t’i ngelej thjesht CEZ shpërndarjes, pra mos shkojë në detyrimet që kishte kompania mëmë CEZ a.s. Kompania CEZ kërkonte 300 milionë euro dhe daljen nga Shqipëria. Domethënë, blerje të aksioneve me 1 euro nga shteti shqiptar dhe më vonë edhe likuidimi prej një vlere 300 milionë euro. Ndërsa nga pala shqiptare është shtruar në një platformë tjetër që duhet të shkonte edhe më tutje në mospërmbushjen e detyrimeve kontraktore që vinin nga kontrata e privatizimit, duke iu referuar, mosbërjes së investimeve, borxhit të keq, mosmbledhjes së faturave etj. Avokati i palës shqiptare ka deklaruar aty se investimi ishte zero. Ndërsa pala ka pretenduar se përveç investimeve  kishte marrë dhe dy kredi dhe sipas tyre ishin borxhe që kishin marrë për ngritjen e kompanisë, por sipas titullarëve të institucioneve këto borxhe nuk ishin marrë për ngritjen e kompanisë, por ishin për blerjen e makinave të luksit, për pagat e larta të zyrtarëve të larta që ishin aty. Pas këtyre diskutimeve është dërguar me shkrim edhe kundërpropozimi i palës shqiptare. Është dërguar më vonë një përgjigje nga pala çeke, por në të vërtetë nuk kishte asnjë përgjigje, por ka pasur deklarata në shtyp që ne do të tërhiqemi nga Shqipëria”, sqaroi Mandia. Nga ana e tij, drejtuesi i komisionit, Edmond Spaho, duke publikuar një dokument, bëri të ditur se, “CEZ kishte një detyrim prej 345 milionë euro ndaj shtetit shqiptar dhe se është bërë e pranuar skedulimi për shlyerjen e tyre”. Ish-Avokatja e Shtetit konfirmoi se “CEZ ka pranuar detyrimet dhe ka bërë të ditur shlyerjen e tyre sipas kalendarit të rënë dakord. Avokati ndërkombëtar bëri të ditur se mënyra e prishjes së kontratës nga CEZ, do të shkojë drejt gjyqit. CEZ pretendonte se kishte konflikt me DIA-n dhe se shteti nuk kishte pse përfshihej në detyrimin 138 milionë eurosh. Për këtë konflikt, më 1 tetor 2013, vura në dijeni zyrtarisht kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Energjetikës, Damian Gjiknuri. Jam thirrur në zyrë nga ministri Gjiknuri ku edhe i shpjegova situatën”. Me ndërhyrjen e tij, Spaho kujtoi se, “Gjiknuri është shprehur se morëm përsipër zgjidhjen e konfliktit se na u imponua nga çekët”. Nga ana e saj, dëshmitarja Ledina Mandia, konfirmoi se “CEZ kërkonte 300 milionë euro për t’u larguar nga Shqipëria dhe pretendonte se në arbitrazh do të fitonte 500 milionë euro”. Shteti shqiptar nuk iu drejtua arbitrazhit ndërkombëtar për konfliktin me CEZ.

“Droni.al”

Artikulli paraprakSi do të jetë fjalimi i Trump si President
Artikulli tjetërPyetjet e vështira për kandidatin e Trump për Mjedisin