Avokati i Popullit: Qeveria po keqtrajton komunitetin rom

“Problemet e tyre janë shumë të mëdha. Ata janë pa punë, pa strehim, nuk kanë akses në shëndetësi, në drejtësi. Kanë probleme me arsimin e fëmijëve, me braktisjen e shkollave. Qytetarët romë nuk mund të transferojnë dot dokumentet nga një gjendje civile në tjetrën, sepse janë disa kritere që ata nuk i përmbushin dot. Autoritetet fshihen pas barazisë përpara ligjit, por në rastin e romëve, të cilët realisht nuk trajtohen si të barabartë me qytetarët e tjerë, ligji bëhet diskriminues”
“Është e patolerueshme që foshnjet rome sot e kësaj dite pickohen nga gjarpërinjtë që u hyjnë në barakat ku flenë vetëm 5 km larg Tiranës. Romëve u janë djegur shtëpitë, madje edhe janë dëbuar siç ishte rasti i fundit”. Avokati i Popullit, Igli Totozani, ka hedhur akuza të rënda ndaj qeverisë për keqtrajtimin e romëve, duke i kujtuar izolimin në shkolla si në Korçë apo Kuçovë nga pjesa tjetër e fëmijëve, duke i përmendur dëbimin nga shtëpitë, heqjen nga dora dhe të kanaçeve që mbledhin e deri pickimin e foshnjave nga gjarpërinjtë në barakat ku flenë fare afër Tiranës. Në fjalimin e tij në konferencën “Integrimi i romëve dhe rritja e bashkëpunimit midis shteteve në rajon” organizuar nga Amarodrom, Totozani  i kushtoi vëmendje shqetësimit për mungesën e miratimit të ligjit për minoritetet. “Romët janë qytetarë të nivelit të dytë. Kam hyrë në barakat e tyre kudo në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë. I kam parë si jetojnë dhe ndaj ju them me bindje se ata janë të përjashtuar socialë. Problemet e tyre janë shumë të mëdha. Ata janë pa punë, pa strehim, nuk kanë akses në shëndetësi, në drejtësi. Kanë probleme me arsimin e fëmijëve, me braktisjen e shkollave. Qytetarët romë nuk mund të transferojnë dot dokumentet nga një gjendje civile në tjetrën, sepse janë disa kritere që ata nuk i përmbushin dot. Autoritetet fshihen pas barazisë përpara ligjit, por në rastin e romëve, të cilët realisht nuk trajtohen si të barabartë me qytetarët e tjerë, ligji bëhet diskriminues. Që të mund të bëjnë zhvendosjen e vendbanimit, atyre u kërkohen kontrata qiraje dhe çertifikata pronësie, në një kohë që ata nuk kanë asnjë mundësi financiare as të marrin shtëpi me qira si qytetarët e tjerë dhe as të blejnë shtëpi. Romët janë të vetmit në këtë vend që lindin fëmijë, të cilët mbeten fantazma për shtetin, pasi nuk regjistrohen, nuk u jepet një emër dhe mbiemër zyrtar e për pasojë nuk gëzojnë as të drejtat dhe përfitimet si çdo qytetar tjetër. “Është e patolerueshme që foshnjet rome sot e kësaj dite pickohen nga gjarpërinjtë që u hyjnë në barakat ku flenë vetëm 5 km larg Tiranës. Romëve u janë djegur shtëpitë, madje edhe janë dëbuar siç ishte rasti i fundit. Unë mendoj se kjo është një situatë e papranueshme, pasi çdo njeri ka të drejtën të jetojë mirë dhe me dinjitet. Ka familje rome që marrin ndihmë ekonomike, por edhe ajo është e pamjaftueshme. Si mundet që një familje të jetojë me 8 mijë lekë të reja në muaj. Kemi vite që kërkojmë shpalljen e minimumit jetik, që do të rriste këtë standard jetese për më të varfërit, por nuk është bërë asnjëherë. Madje, kur flasim për problemet e romëve përballemi edhe me zgjidhje ‘origjinale’ shqiptare si në Korçë apo në Kuçovë, me shkolla vetëm me fëmijë romë. Ndonëse qëllimi për ngritjen e tyre mund të jetë pozitiv për t’u garantuar atyre ushqim në shkollë, sërish ky është segregim i pastër, pasi ne nuk duhet që t’i veçojmë fëmijët romë nga të tjerët. Ne nuk mund t’i izolojmë ata”. “Pavarësisht arritjeve, që nuk i mohon kush, mbetet shumë për të bërë, pasi vështirësitë janë të mëdha. Kush mendon që unë kritikoj shumë duhet të shkojë dhe të shohë banesat e romëve, të shohë kur u marrin kanaçet, pa u siguruar asnjë mundësi punësimi më parë. Nuk mund të ofrosh zgjidhje për ta, nëse nuk e vë veten në pozitat e tyre, nëse nuk shikon se si jetojnë ata. Dua të shtroj këtu një tjetër problem shumë shqetësues. Kemi një vit e gjysmë që kërkojmë me insistim miratimin e ligjit për minoritetet, në një kohë që edhe censusi është i kontestuar. Ligji për minoritetet i mungon Shqipërisë dhe kjo është një mangësi, pasi mbetet një nga kriteret që duhet të përmbushim në rrugën e integrimit europian. Kjo është edhe një mundësi shumë e mirë për përmirësimin e kushteve të jetesës për minoritetet, siç është edhe ai rom. Ligji për minoritetet duhet të ishte në Parlament për miratim në muajin tetor, por ende nuk dihet se çfarë po bëhet me të. Ndaj i bëj thirrje ministrit Bushati të mos e vonojë ligjin, pasi në këtë mënyrë vonon përmirësimin e jetës së qytetarëve të minoritetit rom, por gjithashtu vonon edhe përmbushjen e detyrimeve të Shqipërisë për integrimin evropian”.

Artikulli paraprakRinia ikën, 80% e të larguarve nga Shqipëria drejt BE nën 35 vjeç
Artikulli tjetërOSBE: Të forcohet lufta kundër trafikut të qenieve njerëzore