Avionë të rinj droge në Patok dhe Gjirin e Lalzit

Katër avionë të rinj droge janë ulur dhe ngritur ditën e djeshme në lagunën e Patokut dhe në Gjirin e Lalzit. Denoncimi është bërë nga ish-Kryeministri Berisha pas mesazheve dhe videove të dërguara nga qytetarët dixhitalë. Fillimisht Berisha publikoi dje në mesditë mesazhin e një banori nga Patoku ku e informonte për dy avionë të vegjël që ishin ulur në lagunën e Patokut. “Aeroplanët shkojnë e vijnë! Lexoni mesazhin e qytetarit dixhital”, shkruante Berisha në një postim në Facebook.
“Përshëndetje doktor. Jemi ulur në lokalet në lagunën e Patokut. Para 2-3 minutash u ulën 2 avionë të vegjël në distancë maksimale 1000 metër në veri të Patokut. Erdhën nga deti në një lartësi jo më të madhe se 50 ose 60 metër mbi nivelin e detit. Gjithçka është parë nga gjithë njerëzit që janë ulur këtu. Mbi 30 persona. Avionët dukeshin me ngjyrë jeshil të errët. Ju lutem anonim. Respekt”, shkruan banori.
Disa orë më vonë, ish-Kryeministri Berisha publikoi një video ku duken disa avionë të vegjël që fluturojnë ulët në Gjirin e Lalzit. “Mushkonjat fluturojnë sot ulët mbi Gjirin e Lalzit!”, shkruan Berisha në Facebook, duke publikuar videon.
Dyshohet se avionët e vegjël po ulen për të transportuar drogë drejt Italisë. Dy vitet e fundit janë kapur dy avionë të vegjël të mbushur me drogë në Divjakë dhe në Ishëm. Opozita denoncoi para tre vitesh trafikun e drogës me avionë nga Shqipëria drejt Italisë, por qeveria deklaronte se nuk janë avionë droge, por avionë të vegjël që spërkatin pyllin e Divjakës për mushkonjat.
Më 10 maj 2014 u zbulua avioni i parë që transportonte drogë drejt Italisë. Ishte një defekt në avionin e mbushur me drogë në Divjakë, që piloti nuk mundi ta ngrejë në fluturim avionin drejt Italisë. Një avion i vogël me një pilot italian është rrëzuar në plazhin e Divjakës, duke nxjerrë zbuluar qeverinë për trafikun e drogës edhe nga ajri. Disa metra më larg avionit u gjetën disa thasë me drogë, ndërsa brenda në avion ishin edhe dy çanta të mbushura me drogë të fortë, kokainë e heroinë.
Avioni u rrethua menjëherë nga forca të shumta policore, duke mos lejuar median që të afrohet. Edhe pse trafiku i drogës me avion u kap në flagrancë, Rama e mbylli këtë skandal, duke mos vënë para përgjegjësisë asnjë nga zyrtarët e lartë të përfshirë në këtë trafik droge.
Droga dyshohej se ishte e Habiljave ndërsa për trafikimin e saj ata bashkëpunonin edhe me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Vetëm pas publikimit të përgjimeve të Antimafias italiane të Habilajve u vërtetua se Tahiri bashkëpunonte me Habilajt për trafiklun e drogës drejt Italisë.
Ndonëse opozita denoncoi me fakte, duke publikuar video të avionëve që uleshin dhe ngarkoheshin me drogë e niseshin drejt Italisë, Rama dhe zyrtarët e tij i cilësonin si “mushkonja”.
Nuk kaloi shumë kohë dhe një tjetër avion i vogël me drogë ngeci në Ishëm. Edhe në këtë rast ish avioni nuk arriti të ngrihej për shkak se ishte mbushur me drogë më shumë se kapaciteti. Avioni ngeci në Ishëm për shkak të ngarkesës së madhe me drogë. Në avion ishin ngarkur 3 tonë drogë, një ngarkesë shumë e madhe, të cilën nuk e përballonte avioni i vogël. Për këtë shkak avioni nuk arriti të ngjitej në fluturim. Prej kohësh, aty ishte hapur një pistë për uljen e avionëve dhe mbushjen me drogë. Banorët e zonës bënë të ditur se, prej disa netësh kishin parë zjarre të ndezura afër pistës në Ishëm, ku trafikantët orientonin uljen e avionëve të drogës.
Të gjitha ngarkesat e avionëve me drogë bëheshin me dijeninë e zyrtarëve të lartë, ndaj dhe nuk bllokoheshin nga qeveria.

Artikulli paraprakDrejtuesit e policisë denoncuar nga SHISH për lidhjet me krimin
Artikulli tjetërNdahet nga jeta regjisori i njohur Mihal Luarasi