Atmosferë fushate në kongres nën hijen e tre maktheve

Nga Red VARAKU

Fjalimi i Edi Ramës ishte një përrua psiqik që kishte dalë jashtë kontrollit. Në vend që të jepte llogari për krizën e rëndë ku ndodhet vendi, ai e ka klasifikuar si komplot të Opozitës, Zërit të Amerikës dhe BILD për ta rrëzuar nga pushteti të gjithë ofensivën e Opozitës, që kulmoi me djegjen e mandateve.

Ndërkohë, nuk dha asnjë llogari për braktisjen që i bënë shqiptarët në 30 qershor, për bllokimin e integrimit, nëntë kushtet e Bundestagut dhe dështimin spektakolar të qeverisjes.

Gjysëm me ngërdheshje, pak me gjestikulacione, e pak me lëvizje të pakontrolluara që i burojnë nga degradimi, në fjalimin e tij Rama nuk i fshehu dot makthet e mëdha që po e torturojnë brenda subkoshiencës.

Jo rastësisht, retorika e tij për një mandat të tretë me 800 000 vota, ideja e Jugosllavisë dhe amnistia fiskale, u kthyen në tre kolonat, ku e mbështeti të gjithë fjalimin e tij, që ishte në të vërtetë një shfrim i koshiencës së tij.

Të tre këto premtime bëhen me synimin për të restauruar imazhin e tij të rënë përtokë gjatë këtij viti të vështirë nga ofensiva e Opozitës, me publikimin e përgjimeve, protestave masive dhe djegjen e mandateve. Të treja lidhen me qetësimin e mbështetësve dhe maktheve të tij të brendshme .

Makthi i parë është makthi i përgjimeve dhe radiografia e ashpër e tyre për qeverisjen e tij si dhe zgjedhjet pa Opozitën në 30 qershor. Thellë-thellë ai e di që përgjimet zbuluan mekanizmin me anë të të cilit ai ka vjedhur votat e shqiptarëve.

Ai e di që kjo e ka dërrmuar përfundimisht dhe në mënyrë të pakthyeshme legjitimitetin e tij, ndaj për të fshehur këtë makth në vend që të jepte llogari për parakalimin e elitës së PS në përgjime, kërkoi 800 000 vota.

Kjo vetëm për të shmangur përgjegjësinë, sepse dihet që ai dhe struktura e tij e lodhur nga korrupsioni dhe krimi mezi morën 200 000 në zgjedhje ku garonte i vetëm pa kundërshtar, por për të spostuar debatin.

Makthi i dytë. Ai po kërkon në mënyrë dëshpëruese të shpëtojë nga damka e tradhtarit dhe njeriut që po na mban larg Europës. Ai po tenton të mbulojë mesazhin e prerë të Europës dhe Bundestagut që nëpërmjet bllokimit të integrimit për të katërtën herë rradhazi, po i kërkojnë të largohet.

Me paturpësi, ai deklaroi që nuk na duhet Europa për sa kohë ne do të udhëheqim Jugosllavinë dhe këtë e bën pasi edhe vetë Putin refuzoi ta takonte. Ndërkohë, nuk harroi të vendosej në krah të Albin Kurtit dhe të sulmonte Haradinajn me shpresë se do të mund ta pastrojë zhulin e tradhtisë nga fytyra.

Së treti, për shkak të makthit të pafuqisë për të luftuar krimin, me Vangjush Dakon në krah ,shpalli dorëzimin para tij nëpërmjet aministisë fiskale, që nuk është gjë tjetër vetëm se një mekanizëm i ri për të rilidhur një kontratë të re me të.

Gjithsesi, ai e di që tani gjithçka është e kotë dhe po shkon drejt fundit. Ai e ka të qartë që nuk do t’i marrë kurrë 800 000 vota dhe që nuk do të ketë integrim pa largimin e tij. Ai e ka të qartë që amnistinë fiskale nuk do ta lejojnë kurrë ta implementojë institucionet ndërkombëtare.

Por, ai flet për to thjesht për të eksituar dhe qetësuar mbështetësit e trembur dhe dekujaruar nga ajo që kanë parë gjatë vitit që shkoi dhe po shohin tani, sepse atë vetë nuk mund ta qetësojë më askush.

Artikulli paraprakRama: “Edhe një dopio, kamerier”!
Artikulli tjetërBerisha publikon mesazhin: “Manipulim votash në Kongresin e Lindës, Gjushit, Koronavirusit!…”