Atletja pa pistë vrapimi në Lojrat Olimpike

Nga Lindita ÇELA

Ajo është shqiptarja e parë që shpallet nënkampione e kontinentit nënjë kampionat europian të atletikës.
Luiza Gega u rendit e dyta në garën e 3000 metrave me pengesa që u zhvillua nga datat 6 deri më 10 korrik në Amsterdam të Hollandës, duke e ndalur kronometrin në 9 minuta, 28 sekonda dhe 52 të qindat.
Arritjen më të rëndësishme të jetës së saj, por edhe për Shqipërinë, e ndau me ata pak njerëz që e pritën në aeroport, pak orë me prindërit, e sërisht u nis për udhë, drejtë Korçës.
Në stadiumin “Skënderbeu” ndodhet një ndër pistat e pakta me tartan në Shqipëri, ku mund të stërvitet atletja 28 vjeçare. Ka vetëm katër javë kohë për t’u përgatitur për lojrat olimpike që zhvillohen në Rio de Zhaneiro të Brazilit në mesin e muajit gusht.
Falë Luizës, Shqipëria nuk është thjeshtë vend pjesëmarrës në lojra, por pretendete për medalje.
“Do të mbaj flamurin dhe për herë të parë ne jemi garues në Lojrat Olimke, që është ëndërra e çdo atleti,” Luiza thotë për sfidën e rradhës në karierën e saj, e cila duket që në nisje se ka qenë veçse një garë e gjatë me pengesa.
Sipas Gegës është pasioni i sportistëve që e mban gjallë sportin e atletikës në Shqipëri, dhe sukseset si të Luizës – ajo është kampione Ballkanike për pesë vitet e fundit -gati gati duken të pamundura të ndodhin.
“Kudo që shkoj, në kompeticionet ndërkombëtare, jam vetëm me trajnierin, pa një fizioterapist, pa doktor apo masazhator, që janë shumë të rëndësishëm për një atlet.
Gega shpjegon se para garës çdo atlet zhvillon stërvitje intensive dhe një personel i tillë ndihmës është i domosdoshëm.
“Koleget e mia, që marrin pjesë në gara të tilla, nuk mendojnë për këtë apo për ndonjë dëmtim që mund të shkaktohet gjatë stërvitjes; ato nuk mendojnë se a do të kenë mjek me vete, nuk mendojnë nëse do u dalin lekët për t’u stërvitur apo për të qëndruar në garë,” tregon Luiza.
“Thjeshtë mendojnë për garën dhe stërvitjen, ndërkohë që unë me trajnierin tim duhet të programojmë edhe qindarken e fundit,” shtoi ajo.
Me mundësitë ekonomike që ka në dispozicion Gega mund të përballojë jetesën dhe stërvitjen në Korçë, ndërkohë që rivalët e saj, qoftë ato që la pas në Amsterdam, janë nisur drejtë Francës, aty ku stërviten gjatë verës atletët profesionistë.
Dhe pse në kushte më minimale të një atleteje profesioniste, Luzia thotë se shkon në Rio de Zhaneiro për të qenë finaliste në Lojrat Olimplike. Sa për medaleje, preferon të jetë me këmbë në tokë.

Pengesat e Luizës

Luiza kurrë nuk e ka patur jetën të lehtë. Kur vendosi t’i përkushtohej atletikës, 15 vjet të shkuara, duhet të zgjidhte mes Durrësit, familjes dhe ëndërrës së saj. Vjen në Tiranë, por edhe pse me gjithë parametrat e duhur fizik për një atlet, në Institutin e Fizkulturës rezultatet ishin modeste.
“Vjen një moment që mendon ç’duhet të bësh me pasionin tënd. Shteti, edhe kur je atlet profesionist, nuk të ofron asgjë. Vendosa që të stërvitem në ekipin e Taulant Stërmasit, ku në atë kohë bënin pjesë emra të njohur të atletikës shqiptare,” tregon Luiza, duke shpjeguar se si vendosi që pasionin e saj ta kthejë në profesion.
Rezultatet e viteve të para ishin modeste por për trajnierin e saj Stërmasi, ishin shumë shpresëdhënëse, dhe tani Gega po thyhen rekorde kombëtare e ndërkombëtare.
“Dy vjet pas stërvitjes [me Stërmasin] fillova të thyej dhe rekorde që kishin 30 vite pa u thyer në atletikën Shqiptare. Rekordi i parë  ishte në gara për 800 metra, e theva  rekordin me pak të qindat po ama ishte një rekod. E theva në një kampionat botëror dhe kjo ishte një kënaqësi për mua,” kujton Gega.
Që nga vitit 2010 ajo shpallet kampione në rang Ballkanik, nënkampione në ligat e europiane duke shkruar historinë e ateletikës shqiptare. Megjithatë, përtej medaljeve jeta e Luizës shënjohet nga sakrificat dhe regjim gati gati titanik i stëvistjes që atletika detyron. Stërvitet mbi 6 orë në ditë. Rastet kur feston me miqtë numërohen me gishtat e dorës.
“Të jesh sportiste dhe atlete nuk ke jetë private. Edhe familjen e takoj shumë rrallë. Flas në telefon apou them motrave të gjejnë kohën që fundjavave të vijnë në Korçë,” thotë Gega.
“Unë kurrë nuk jam prezente në gëzimet e tyre. Gjithmonë i kërkoj ndjesë duke u thënë se kam stërvitje. Prishja e regjimit të kushton në stëvitjen e nesërme ndaj është domosdoshme që të planifikosh edhe sekontin  sepse të ikën rezultati,” shton atletja Olimpike.
Pas vetes ka vetëm trajnierin, i cili është për të mjeku, fizioterapisti apo dhe masazhatori, që duhet të përbënin ekipin me të cilin prezantohet në një garë një atlet. Si atlete e ekipit të Tiranës, Luiza paguhet 60 mijë lekë të vjetra në muaj, ndërsa në rastet kur në kompeticionet ndërkombëtare renditet ndër tre vendet e para, shpërblehet nga federata me 850 mijë lekë të vjetra.
Nga 3 mijë atletë që janë të regjistruar në Federatën Shqiptare të Atletikës Luiza është më fatlumet. Ajo ka fituar një bursë nga Komiteti Olimpik me të cilin jeton dhe  mundëson stërvitjen e saj.
Sipas tranjerit te saj Taulant Stërmasi kostoja e stërvitjes së një atleti të përmasave të Luizës shkon deri në 25 mijë euro në muaj, por nuk  po flasim për Shqipërinë që ka vetëm dy pista me tartan për stërvitjen e atleteve, në Elbasan dhe Korcë.
Në Tiranë e vetmja mundësi për t’u stërvitur është Parku i Liqenit Artificial, por dhe aty Luiza thotë se e ka të pamundur.
“Në Tiranë, i vetmi vend ku mund të dalësh për vrap është Parku i Liqenit Artificial, por dhe aty në këtë kohë ka dyndje njerëzish sa ti nuk ecën dot, jo më të bësh stërvitje,” thotë ajo.
“Ndaj jam e detyruar të shkoj në Korçë. Nuk është vendi më i mirë për t’u stërvitur, sidomos po të mendosh se  do të mbaj flamurin në garat Olimpike, por është i vetmi vend që mund të përballoj ekonomikisht qëndrimin dhe stërvitjen,” shton ajo.

Autoritetet frikë nga dopingu

Në Kampionatin Europian, Luiza u rendit pas atletes gjermane Gesa-Felicitas Krause dhe la pas turken Meryem Akda, në garën 3000 metra me pengesa, e cila konsiderohet nga disiplinat më të  vështira në atletikë.
Megjithëse është shqiptarja e parë që shpallet nënkampione e kontinentit asnjë zyrtar shqiptar nuk i ka dërguar qoftë dhe një sms urimi për medaljen e rrëmbyer në Amsterdam. Për arritjen e saj në atdhe, të vetmit që e mirëpritën ishin disa aktivistë të grupuar në lëvizjen “Qytetarët për Parkun”.  Ata e pritën në aeroportin  “Nënë Tereza” dhe organizuar një mbrëmje falenderimi në nder të saj, në një prej lokal modest në Tiranë, ku një grusht  njerëzish e pritën me Flamurin Kombëtar e duartrokitje nënkampionen e Europës.
Kjo ishte festa e vetme për Luizën dhe indiferentizmi i institucioneve shtetërore ka lënë shije të hidhur tek ajo.
Fillimsht është njoftuar që drejtues të lartë të shtetit do e prisnin në aeroport, por një njoftim i dytë, i mbërritur teksa ishte në tranzit në Romë, i bënte me dije se kryebashkiaku Erion Veliaj dhe kryeministri Edi Rama do e prisnin në një moment të dytë.
Mendohet se frika nga rezultatet e analizave anti-doping ka ngrirë festën për Luiza Gegën.
Në vitin 2014 një sërë sportistësh shqiptarë në peshëngritje, si Romela Begaj, Daniel Godellit, dhe Hysen Pulaku, rezultuan pozitiv dhe humbën medaljet e tyre.
Por Luiza thotë se priste të paktën një mesazh urimi për medaljne në Amsterdam.
“Po të ecim me këtë logjik i bie që organizatorët e Kampinatit duhet të prisnin përgjigjen e analizave dhe më pas të më varnin medaljen në qafë, por që nuk ndodh kështu,” thotë ajo.
“Ajo që prisja ishte një urim mbështejte dhe kaq,” shton ajo.
Trajneri i saj Tualant Stërmasi tregon se Luiza është sportistja më e kontrolluar në historinë e sportit shqiptar. Sipas tranierit,  Luiza bën 25 kontrolle kundër doppingut në vit, ndërkohë që analizat paraprake nga Amsterdami kanë dalë negative.
“Mirë për një takim zyrtar priten përgjigjet analizave ponjëstatus për të uruar fitoren a i kompromentonte?” pyet Stermasi.
“Presidenti i federatës europiane e bëri. Luiza është medalja e parë e këtij niveli për Shqipërinë, kaq e meritonte,” shton ai.
Më shumë se mungesa e një ceremoniali zyrtar, ajo që e shqetëson Gegën është infrastruktura e munguar për atletët.
“Jo se unë nuk dua ta falendoroj shtetin, por nëse ata do të më mundësonin, qoftë dhe ato kushte që për sportistët e botës quhen minimale, do u thoja 1000 herë faleminderit,” tha ajo.
“Koleget e mija  nuk mendojnëse duhet të nisen dy orë para garës se është stadiumi larg, ose se çfarë do të ndodh po të pësojnë dëmtim në stërvitje se nuk kanë mjek. Ne jetojmë me këtë ankth çdo ditë dhe kjo e bën stërvitet strapacuese,” shtoi Luiza.
Luiza edhe pse ka 15 vjet si sportiste profesioniste, Federata nuk i derdh sigurime shoqërore, çfarë përbën një shqetësim për të ardhmen e saj.
“Deri më tani nuk më quhet asnjë ditë pune e siguruar. Kur e mendoj, bëhem fobike, më kap ankthi ndaj fokusohem tek stërvitja. Është gjëja më e mirë që mund të bëj për momentin,” thotë ajo.
Me gjthë vështirësitë që hasin sportistët në Shqipëri, kampionja shqiptare thotë se kurrë nuk mund të heqë dorë nga sporti. Madje, emicionet që ndien, sidomos kur del fitues në kompeticionet ndërkombëtare, është e vetmja arsye që e shtyn përpara.
“Unë shpresoj shumë që  gjërat të ndryshojnë. Por kur sheh që ajo që ti bën sjell sukses e bën të ndiehen krenar dhe shumë njerëz të tjerë, atëherë motivimi është shumë i lartë,” thotë Gega.
“Do i thoja çdo fëmije, çdo të riu që kapasion sportin të merret dhe ti përkushtohet, sepse emocioni që unë kam marrë kur mora medaljen në Amsterdam, kur flamuri ynë u ngrit përkrah shteteve si Gjermania e Turqia, nuk mund ta blesh as me shumën më marramendëse të parave,” përfundoi ajo.

Artikulli paraprakPër çfarë sigurie po flasim?
Artikulli tjetërBilanc lufte, 11 të vrarë në 24 orë, vendi pa siguri dhe rend