Atletico thyen Bayernin, vendos Carrasco

Në “Vicente Calderon” feston Atletico e Madridit. 5 muaj më pas skuadra e Diego Simeones mposhti sërish me rezultatin 1-0 Bayernin e Mynihut duke u ngjitur në krye të Grupit D, të UEFA Champions League. Pasi eliminoi Bayernin e Guardiolës nga gjysmëfinalet e Championsit një sezon më parë, El Cholo Simeone fitoi edhe duelin personal ndaj Carlo Ancelottit. Belgu, Yannick Ferreira Carrasco me një goditje të bukur i dha avantazhin Atleticos në minutën e 35-të. Los Colchoneros mund të kishin dyfishur shifrat në të 84-tën, por Griezmann goditi shtyllën nga 11 metra distancë, pas një penalltie të akorduar në favor të Atleticos për një faull të Vidal ndaj Filipe Luis. Ndeshja tjetër e Grupit D mes rusëve të Rostovit dhe PSV Eindhovenit përfundoi në barazim 2-2.
Në Grupin A duelin e vëllezërve Xhaka e fitoi Graniti. Në Londër Arsenali iu fal Theo Walcot-it që realizoi dy herë për të mposhtur me shifrat 2-0 Baselin. Titullarë të dy vëllezërit Xhaka. Taulanti, mesfushori i kombëtares shqiptare u aktivizua në qendër të mbrojtjes nga trajneri Urs Fischer në këtë ndeshje. Me këtë fitore Arsenali u ngjit në kuotën e 4 pikëve po aq sa edhe Paris Saint Germain, që triumfoi 1-3 me përmbysje në transfertën bullgare ndaj Ludogorets. Matuidi iu përgjigj golit të Natanael, përpara se Cavani të realizonte dy herë në fraksionin e dytë.
Në Grupin B, kryeson me pikë të plota Napoli që kaloi lehtësisht në “San Paolo” Benficën me rezultatin 4-2. Marek Hamsik, Mertens me një dygolësh dhe Milik i çuan shifrat në 4-0 në favor të skuadrës së Sarrit, ndërkohë që në fund për Benficën realizuan Guedes dhe Salvio duke e bërë më pak të dhembshme këtë humbje. Tjetër barazim për Beshiktashin. Në Stamboll skuadra turke u ndal me rezultatin 1-1 nga Dynamo e Kievit me Tsygankov që iu përgjigj avantazhit provizor të Ricardo Quaresmas.
Në Grupin C, Barcelona pa Lionel Messin të dëmtuar fitoi 2-1 me përmbysje ndaj Borussia Moenchgladbach. Në “Borussia Park”, Thorgan Hazard kaloi fillimisht në avantazh vendasit përpara se Arda Turan dhe Gerard Pique me golat e tyre t’i jepnin fitoren e dytë dhe vendin e parë në grup Barcelonës. Ngeci në një barazim 3-3 Manchester City në transfertën skoceze ndaj Celtic me skuadrën e Guardiolës që e pa veten në disavantazh në 3 raste, por rikuperoi gjithçka me golat e Fernandinhos, Sterling dhe Nolitos.

Artikulli paraprakRinovim për Dybala
Artikulli tjetërRonaldo i pangopur me tituj