Atentati ndaj Mehmetit në Vlorë, babai nxjerr faktet kundër Policisë

Familjarët e Elidon Mehmetit, i cili u vra në atentat me armë zjarri në Vlorë më 9 prill, mohojnë që djali i tyre të ketë qenë me precedentë të mëparshëm apo të ketë pasur konflikte me persona të tjerë. Babai i tij, Maliq Mehmeti, shprehet se i biri nuk kishte asnjë konflikt dhe se nuk janë të vërteta aludimet e deritanishme se i biri ishte përfshirë në fushën e narkotikëve dhe këtë e provon me pasaportën e tij.
Pasaporta e Elidon Mehmetit ka vula të shumta hyrje-daljeje në pika të ndryshme kufitare të Europës, që nga Vjena, Bolonja, Ankona etj., madje edhe pak kohë para se ai të qëllohej për vdekje me armë zjarri.
“Nuk është e vërtetë që djali im ka qenë arrestuar apo dënuar jashtë vendit dhe që ka pasur precedentë. Im bir lëvizte lirshëm dhe nuk kishte asnjë problem me policinë, as në Itali dhe as në ndonjë shtet tjetër”, shprehet babai i Elidon Mehmetit, teksa tregon pasaportën e të birit.
Maliq Mehmeti nuk gjen dot shkak për atë çfarë i ndodhi djalit. Sipas tij, Elidoni nuk kishte probleme, nuk ka pasur kërcënime dhe se ai punonte normalisht në Vlorë. Ndërkaq, policia nuk jep informacion nëse ka dyshime apo mund të jenë identifikuar autorët e ngjarjes së rëndë që i mori jetën të riut. Sipas të dhënave, ngjarja u ka kaluar në kompetencë hetimi Krimeve të Rënda, ndërsa janë duke u studiuar veç pamjeve të siguruara nga kamerat e sigurisë përreth vendit, edhe të dhëna që janë marrë nga persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen.
Pas krimit, policia shoqëroi disa persona, por dëshmitë e tyre nuk rezultojnë t’i kenë shërbyer hetimit për identifikimin e autorit. Dyshohet që në krim të kenë marrë pjesë të paktën dy persona, njëri prej të cilëve drejtues i mjetit nga ku është qëlluar me armë zjarri, ndërsa tjetri autori i drejtpërdrejtë i këtij krimi.

Artikulli paraprak75 kg drogë nga Shqipëria me makinë futen në Greqi
Artikulli tjetërMeta dhe Rama thirren në Gjykatë për dosjen ‘Doshi’