Atalanta, 10 milionë euro për Gjimshitin

Berat Gjimshiti do të kthehet gjatë verës te Atalanta dhe duket se klubi i Serisë A ka plane të rëndësishme për futbollistin shqiptar. Lojtari u huazua në verë që të luante më rregullisht dhe të ambientohej me futbollin italian. Por mesa duket, në Bergamo mendojnë se ai është një lojtar tek i cili mund të besohet për të ardhmen afatgjatë.
Në momentin kur u vendos dhënia në huazim e tij te Avelino, dy klubet ranë dakord për vendosjen e një klauzole largimi nëpërmjet të cilës klubi i Serisë B mund të blinte futbollistin në fund të këtij edicioni. Por siç ka treguar dje presidenti i Avelinos, Valter Takone, shifra ishte e papërballueshme për klubin e tij.
“Ne nuk shpenzojmë shumë. Drejtuesit sportivë janë treguar shumë të aftë pasi kanë arritur të afrojnë këtë sezon në huazim lojtarë si Radunoviç dhe Gjimshiti. Të dy mund t’i blinim në fund të sezonit, por për shifra shumë të larta. Të parin për 2 milionë euro, ndërsa të dytin për 10 milionë euro”, zbuloi Takone.
Vlerësimi kaq i lartë për Gjimshitin tregon qartësisht besimin që ka Atalanta te aftësitë e lojtarit shqiptar. Ai mund të ketë një rol protagonisti në Bergamo në sezonin 2017-2018, sidomos duke marrë për bazë edhe faktin që skuadra luan edhe në Ligën e Europës.

Artikulli paraprakAliji pranë kthimit në Zvicër
Artikulli tjetërMorata te Milan?