Ata mikrofonë duheshin hequr!

Qarkullon së fundmi një video ku shfaqet kreu i Rithemelimit, Sali Berisha, që duket se ndërhyn gjatë një prononcimi për mediat të aktorit Ndriçim Xhepa në homazhet për nder të Mirush Kabashit, duke nisur të flasë vetë. Tani nuk është e qartë mirë sesi qëndron puna, por nga aq sa mund të shohësh të ngjan se Sali Berisha futet në mes të njerëzve, shtyn Ndriçim Xhepën që ndoshta edhe nuk e njeh kush është pasi ka qenë me kurriz dhe vazhdon të flasë.

Një sjellje tipike e një dashnori të fjalës së thënë në vetë të parë që nuk pyet për rregulla dhe kod etike. Z. Berisha i pëlqen ky konfrontimi energjik me të tjerët ku ai triumfon përherë thuajse duke lënë të kuptohet se është një uragan i papërmbajtshëm. E me siguri edhe një druvar që nuk ndreqet më shumë se kaq.

Por sërish çështja nuk është këtu. Në fund të fundit politikanët shqiptarë janë ai stan derrash që kujtojnë se janë të pavdekshëm e të paprekshëm. Çështja janë ata gazetarët aty të cilët e drejtojnë mikrofonin nga oratori më i parë që u del përpara, duke lejuar kështu të konsumohet një incident shumë i shëmtuar dhe pa asnjë kuptim, të cilin ata mund ta zgjidhnin. Duke mbajtur mikrofonin te aktori Xhepa. Pasi është e drejta e tyre dhe punë e tyre se cilin duan të intervistojnë dhe se kë duan të marrin në prononcim.

Ose më mirë do të duhet të ishte. Në fakt ne shohim aty një përplasje verbale nën zë mes Xhepës dhe Berishës dhe ca gazetare(???) që zgërdhihen me ndonjë batutë të radhës aty për ta lënë buqetën e mikrofonëve të drejtohet nga ai që mbin vetë para tyre.

Mjafton vetëm kaq, një shfaqje e tillë për ta kuptuar se kush na informon dhe sesi na informojnë, se sa besim dhe rëndësi i kushtojnë profesionit që bëjnë dhe se çfarë dinë për të. Gazetarë që qeshin me batutat e liderëve ka pa hesap: qeshin përherë dhe i tregojnë si dëshmi për historinë. Mirëpo ky është një raport komod për politikanët e Shqipërisë, edhe deputetët që janë më së shumti ca anonimë që identifikohen vetëm me rrobat e shtrenjta.

Dhe pa dashur të këshillojmë dikë për këtë gjë, por nuk është ndonjë arritje apo ndonjë sukses të kesh begenisjen e politikanëve në këtë profesion, veçse si raport pune. Sidomos për reporterët që mirë apo keq, një gjë duhet ta dinë mirë: ata janë përgjegjës për sovranitetin e mikrofonit që mbajnë në dorë e kështu edhe për integritetin e raportimit. Përndryshe do vazhdojmë të shohim Saliun dhe Edin apo Ilirin dhe Erjonin që marrin poza e bëjnë sikur çfarë po thonë, argalisin Shqipërinë dhe gazetarinë me humorin e tyre bajat duke pushtuar çdo hapësirë. Me imponim dhe dhunën e autoritetit që kanë mbi reporterët e televizioneve që sa vjen e marrin rolin e dekorit. (Respublica)

Artikulli paraprakShqipëria në Europian, kompanitë e fluturimit u bien çmimeve me “top”: 500 euro bileta
Artikulli tjetërBIRN/ Rama sfidon BE-në, merr në mbrojtje projektin për rishikimin e zonave të mbrojtura