Asnjë nënvlerësim në Lihtenshtejn

Nuk arriti të shkonte në Francë, por Berat Gjimshiti nuk u dorëzua. Qëndroi te Shqipëria dhe me forcë karakteri e paraqitjet në fushë tanimë e shohim si titullar në një nga pikat më të rëndësishme, qendrën e mbrojtjes e me shumë mundësi kështu do të jetë edhe ndaj Lihtenshtejnit, një sfidë që nis me obligimin për fitore, çka e bën më të vështirë nga sa mund të duket në letër. “Është e vërtetë që në letër janë skuadra më e thjeshtë e grupit, por ndaj është e vështira, sepse duhet të fitojmë dhe tani në futboll është e vështirë të fitosh ndaj çdo kundërshtari. Duhet me e respektu kundërshtarin, dhe kështu do të fitojmë”, u shpreh Gjimshiti.
Gjimshiti ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës në Zvicër shumë pranë Lihtenshtejnit, dhe bashkë me përgjigjen se çfarë kurthi mund të paraqesë kjo skuadër ka gati dhe kurën për ta mposhtur. “Mendoj se kanë një skuadër shumë kompakte, në mbrojtje janë shumë të fortë dhe presin gabimet e kundërshtarit për ta sulmuar. Mendoj se ndaj tyre duhet luajtur fort si ekip, pasi ndryshe me individualitete nuk mendoj se mund të bëjmë diçka. Rëndësi ka të krijojmë sa më shumë raste dhe të finalizojmë sa më shpejt”, tha ai.
Shqiptarët që jetojnë pranë Lihtenshtejknit janë të shumtë, luhet në një stadium me kapacitet diku rreth 7 mijë vende, kështu që nëse keni vështirësi për të gjetur një biletë, nuk jeni të vetmit, e rëndësishme është që për Kombëtaren projektohet një tjetër ndeshje si në shtëpi. “Kam shumë familjarë, shokë që jetojnë në Zyrih, nuk është larg prej këtu, dhe më kanë kërkuar bileta shumë prej tyre, por të shohim sa do të na japin”, përfundoi Gjimshiti.

Artikulli paraprak“Shkëlqimi i të thjeshtit Thomas Strakosha”
Artikulli tjetërÇani rikthehet pas tre vitesh në Kombëtare