Askush prej nesh nuk duhet të harrojë!

Jorida Tabaku

Plani i Edi Ramës për të mos dëmshpërblyer familjet e ish-të përndjekurve politikë është persekutimi dhe poshtërimi i dytë për ish-të përndjekurit.
Me vendimin që paralajmëroi ministri i Financave bëhet e qartë se qeveria e Edi Ramës u tall dhe mashtroi ish-të përndjekurit, të cilëve u premtoi dëmshpërblim të plotë. Por kjo nuk ishte e papritur.
Në këto 4 vjet qeveria e Edi Ramës:
Uli me 3.2 mld lekë fondin për kompensimin. Ndryshoi skemën e kompensimit, duke shpikur pengesa për të vonuar dëmshpërblimin. Hoqi bursat që u jepej familjeve të pasardhësve.
Largoi nga puna familjarët e të persekutuarve vetëm për shkak të prejardhjes së tyre, duke zbatuar luftën e klasave njësoj si paraardhësit e regjimit komunist. Të mos dëmshpërblesh trashëgimtarët e ish-të përndjekurve politikë, të cilët kanë vuajtur, janë dënuar, kanë humbur të drejtat e studimit, janë dëbuar, poshtëruar dhe torturuar njësoj si prindërit dhe të afërmit e tyre të burgosur politikë do të thotë se nuk ndryshon nga Enver Hoxha.
Partia Demokratike nuk mundi të shlyejë detyrimin e plotë financiar ndaj të gjithë të përndjekurve, sepse ne vendosëm dëmshpërblimin më të madh të mundshëm për ta. Por nga viti 2009 deri në vitin 2013, me 9.3 miliard lekë u dëmshpërblyen 62 mijë e 269 ish-të persekutuar dhe familiarë të tyre. Pas vitit 2013, qeveria ka dëmshpërblyer financiarisht 43 mijë të përndjekur më pak. Sot, ajo ka ngrirë fondin e dëmshpërblimit duke planifikuar përjashtimin e 13 mijë familjeve, të cilëve ligji u jep të drejtën e dëmshpërblimit. Qeveria nuk po e bën këtë jo se nuk ka para, por se nuk ka vullnet.
Qeveria ka para, sepse këtë vit ka paguar 74 milionë euro për 3 djegësit e plehrave, pas të cilëve qëndrojnë Edi Rama dhe Arben Ahmetaj. Qeveria ka para, sepse këtë vit do të paguajë 2.5 milionë euro për palmat e autostradës.
Qeveria ka para, sepse vetëm për konçesionin e dështuar të check up-it në shndetësi do të paguajë këtë vit 5 milionë euro.
Këta kanë para, por këta i përbuzin ish-të përndjekurit e regjimit të sunduar nga etërit biologjikë dhe ideologjikë. Njësoj vepruan edhe me ligjin e ri të kthimit të pronave.
Është po e njëjta bandë që dikur i dënonte, ndërsa sot paratë dhe detyrimin që ne si shoqëri dhe si shtet kemi ndaj tyre, ua mohon. E njëjta bandë që dikur nderonte Traktatin e Varshavës, ndërsa sot maskohet si europiane.
Ishin po këta që rrëzuan amendamentin e Partisë Demokratike në dhjetor, kur kërkuam rritjen e fondit për të përndjekurit politikë.
Gjej rastin, të ftoj çdo të përndjekur politik për t’iu bashkuar opozitës në protestën e 27 janarit. Sot, njësoj, si dikur, demokracia dhe liria jonë janë në rrezik!
Ata që sot po ju heqin dëmshpërblimin e merituar, janë ata që ju dënuan dhe ju internuan! Është narko enverizmi!
Askush prej nesh nuk duhet të harrojë!

Artikulli paraprakPas Tiranës, edhe Korça rritje të çmimit të ujit
Artikulli tjetërUEFA: Zero tolerancë politikës në Federatë