Arsenali tërhiqet nga Lemar

Thomas Lemar, mesfushori me tipare sulmuese i Monacos, ishte një objektiv i Arsenalit në këtë merkato, por mesa duket Topçinjtë e Londrës janë tërhequr nga gara për të firmosur me yllin e skuadrës nga Principata. Synimi i drejtuesve të Arsenalit në ditët e mbetura të merkatos është të bëjnë të mundur largimet e disa prej lojtarëve aktualë në skuadër, të cilët nuk bëjnë më pjesë në planet e trajnerit Arsene Wenger.
Mungesa e hapësirave te Manchester United, ka bërë që mediat angleze të aludojnë për një largim të Luke Shaw nga ekipi i Jose Mourinhos në këtë merkato. Por edhe pse për të marrë shërbimet e tij interesohen shumë klube, menaxheri i futbollistit Johnattan Barnett ka përjashtuar çdo mundësi që Shaw t’i japë lamtumirën Djajve të Kuq në këtë merkato. Shaw do të jetë një nga mbrojtësit e majtë më të mirë në botë, ai ndihet mirë te United dhe adhuron klubin, kështu që nuk ka asnjë shans që ai të largohet nga Manchesteri deklaroi agjenti i lojtarit.
Evertoni vazhdon kërkimet për të firmosur me një sulmues me peshë. Talenti spanjoll Sandro Ramirez nuk mjafton dhe trajneri Ronald Koeman po shikon në shtëpinë e Arsenalit për të gjetur pasuesin e Romelu Lukakut. Në pamundësi për të firmosur me francezin Olivier Giroud, Evertoni po mendon për një tjetër lojtar të Arsenalit, pikërisht Danny Welbeck. Për ta blerë nga Manchester United sulmuesin e kombëtares angleze, drejtuesit e klubit londinez shpenzuan 25 milionë euro dhe kërkojnë të arkëtojnë minimalisht të njëjtën shifër nga shitja e tij.
Deri përpara pak orësh dukej pothuajse i sigurtë kalimi i mbrojtësit kolumbian Davinson Sanchez për 38 milionë euro te Tottenham Hotspur. Megjithatë gjërat janë komplikuar për klubin anglez së fundmi, pasi Ajaxi ka vendosur të mos e shesë 21-vjeçarin amerikanojugor. Ndërkohë, Valencia ka refuzuar ofertën e parë të Tottenham-it, prej 22 milionë eurosh për Joao Cancelon.

Artikulli paraprakNeymar debuton me gol me PSG
Artikulli tjetërLa Liga