Arrihet marrëveshja VV-LDK, Vjosa Osmani kryetare Kuvendi

Në orët e fundit po zbardhen edhe detaje nga marrëveshja finale mes VV dhe LDK, ku njoftohet se kreu i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, pritet të japë dorëheqje nga posti i tij.

Si duket kjo do jetë lëvizja e radhës e cila do ti hapë rrugë formimit të një koalicioni qeverisës mes partisë së tij, Lëvizjes Vetëvendosje, dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Sipas burimeve të Express, pasi ta braktisë postin e kryeparlamentarit, Konjufca, ish-shefi i Grupit Parlamentar të VV-së, do të marrë postin e ministrit të Jashtëm.

Më herët, kreu i VV-së, Albin Kurti, e kishte propozuar Blerim Rekën për postin e ministrit të Jashtëm.

Pjesë e marrëveshjes do jetë edhe Vjosa Osmani, ku me largimin e Konjufcës, Osmani pritet të jetë në krye të Kuvendit.

Sipas të gjitha gjasave, të hënën, Partia e Albin Kurtit dhe subjekti që udhëhiqet nga Isa Mustafa, do ta bëjnë qeverinë.

Më 3 shkurt, e hënë, është caktuar që të mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës për votimin e qeverisë së re të vendit.

Kryesia e Kuvendit ka miratuar kërkesën për seancë, të bërë nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili është mandatar për formimin e kabinetit të ri qeverisës.

Kurti mori më 20 janar mandatin nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ndërsa kërkoi që Kuvendi të mblidhet një ditë para skadimit të afatit kushtetues prej 15 ditësh për formimin e qeverisë.

Kërkesa e tij u bë teksa ende nuk është arritur marrëveshja e pritur me LDK-në për formimin e qeverisë.

Artikulli paraprakIsh-drejtori i Policisë: Kriminelët nuk arrestohet sepse policia bashkëpunon me krimin e organizuar
Artikulli tjetërMessit mund t’i ndalohet hyrja në Angli