Arrestohet “i forti” i Shkodrës pasi e denoncoi Berisha

Një i dënuar me 12 vite burg për veprën penale “vrasje e mbetur në tentativë” dhe i shpallur në kërkim është arrestuar nga Policia e Shkodrës. Policia bëri të ditur se, është arrestuar shtetasi Artan Dekovi. Pak ditë më parë, emri i tij u përmend dhe nga ish-kryeministri Berisha në një denoncim që kishin bërë qytetarët e Shkodrës. Ata i shkruanin Berishës se, Dekovi nuk arrestohej për shkak se ai kishte lidhje me drejtorin e SHÇBA në Shkodër.
“Përshëndetje z.doktor, jam një oficer Policie në Komisariatin e Policisë Shkodër. Nuk mundemi të japim informacion për një person në kërkim, Artan Dekovi i dënuar me 12 vjet burgim, pasi është djali i xhaxhait të shefit të SHÇBA në Drejtorinë e Policisë Shkodër, Arben Dekovi. Ky person lëviz i armatosur në qytet dhe nuk e ndalon njeri, sepse kemi frikë nga shef Arbeni. Ju lutem publikoje, por anonim”, thuhej në mesazhin e oficerit të policisë.
Një ditë më parë, Policia e Lezhës arrestoni nipin e ish-deputetit të PS të Lezhës, Arben Ndoka. Damian Ndoka është arrestuar pas kërkesës së Prokurorisë për plagosjen e një aktivisti të LSI në zgjedhjet e 25 qershorit. Nipi i ish-deputetit të PS, Arben Ndoka, akuzohet se gjatë ditës së zgjedhjeve në 25 qershor, plagosi me armë tek qendra e votimit Florian Dushkun, aktivist të LSI-së. Në momentin e ndalimit nga forcat policore, 20-vjeçarit Damian Ndoka iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një pistoletë me 6 fishekë.

Artikulli paraprakNxënësit e Dibrës në protestë, Bashkia kthen në zyra godinën e gjimnazit
Artikulli tjetërTaksidarët e Rilindjes po terrorizojnë biznesin e vogël në Dibër