Armiqësia ndaj emigrantëve

“New Scientist”

Imigrimi dhe kërkimi i strehimit nuk do të largohen. Vendet që integrojnë imigrantët me sukses kanë më pak gjasa të ndiejnë stresin dhe më shumë gjasa të marrin përfitimet. Janë të shumtë ata që e kanë kuptuar këtë gjë së fundmi dhe po zbatojnë politika të reja: Task Forca e Obamës për Amerikanët e Rinj është një shembull. Ato vende që vendosin thjesht të përplasin derën janë vënë në kërkim të telasheve.
Në shtator 2014, SHBA u përball me një krizë. Dhjetëra mijëra fëmijë të pashoqëruar nga Amerika Qendrore kishin kaluar kufirin me Meksikën në mënyrë të paligjshme dhe po mbaheshin në qendrat e ndalimit të imigrantëve. Pati debate të polarizuar dhe plot zemërim për mënyrën si duhej përgjigjur. Presidenti Obama e quajti një “krizë humanitare” dhe punoi për strehimin dhe ushqimin e fëmijëve. Të tjerë kundërshtuan përdorimin e burimeve të SHBA për t’u kujdesur për  ta. Në pothuaj të njëjtën kohë, në Europë shpërtheu një grindje në lidhje me anijet e migrantëve në Mesdhe. Italia i pezulloi misionet e shpëtimit dhe Mbretëria e Bashkuar refuzoi të mbështesë një operacion të ri kërkim-shpëtimi të BE-së, duke pretenduar se do të inkurajonte më shumë imigrantë që të përpiqeshin të kalonin detin. Agjencitë e ndihmës dhe komisioneri i Lartë i OKB për Refugjatët u përgjigjën se këto operacione ishin të domosdoshëm për të shpëtuar jetë.
Migrimi ndërkombëtar është një prej problemeve të mëdhenj socialë të ditës. Më shumë njerëz jetojnë jashtë vendit ku kanë lindur, se në çdo kohë tjetër në histori – 232 milionë në vitin 2013 – dhe ky numër pritet të rritet. Rritja e migrimit është rezultat i shumë tendencave globale, duke përfshirë rritjen e pabarazisë mes kombeve, kërkesës për krah pune në vendet ku ka rënie të lindjeve, si dhe një rritje në numrin e refugjatëve dhe atyre që kërkojnë strehim.
Kundërshtimi ndaj imigrimit është i përhapur në shumë vende perëndimore. Aktivistët antiimigrim, media dhe elitat politike kanë krijuar një mentalitet krize në të cilin imigrantët paraqiten si “armiqtë tek porta”. Imigrantët – sidomos jo të bardhët – paraqiten si fajtorë për të gjithë problemet e shoqërisë. Dhe kjo gjë nxit mbështetjen për platforma politike më ekstreme.
Edhe imigrimi i paligjshëm është bërë objekt debatesh, me grupe si UKIP në Britaninë e Madhe që propozojnë kontrolle më striktë mbi migrantët nga disa pjesë të BE-së.
Psikologët kanë shumë për të kontribuar sa i përket të kuptuarit se çfarë mund t’i ketë nxitur këto sjellje. Megjithatë, me pak përjashtime, kemi qenë të ngadaltë për të hyrë në këtë fushë.
Nuk po fillojmë nga zeroja. Sjelljet dhe paragjykimet janë studiuar prej dekadash dhe ka metoda eksperimentale për të shqyrtuar shkaqet në themel të tyre.
Një zonë veçanërisht e rrahur e kërkimit është ajo e rolit të konkurrencës në marrëdhëniet mes grupeve. Psikologët ka vite që e kanë debatuar këtë gjë. Në kontekstin e imigrimit, rezulton që të jetë shumë e rëndësishme.
Si rregull, pjesëtarët e grupeve socialë dominues kanë prirjen të besojnë se grupi i tyre është superior dhe si pasojë, ka të drejtën e burimeve dhe privilegjeve. Për të ruajtur dominimin e tyre, ata duhet të ngrenë “kufirin tek thana” ndaj grupeve “pushtues” që duket se konkurrojnë me ta për burime që janë të pamjaftueshëm, përfshirë vendet e punës, pushtetin politik, si dhe ndikimin kulturor dhe fetar. Kjo mund të ndodhë pavarësisht nëse ka me të vërtetë burime të pamjaftueshëm dhe konkurrencë reale për ta.
Ky besim se në konkurrencën me shumë zero është qendror për sjelljet ndaj imigrimit. Ka një besim të përhapur se çdo fitim që kanë imigrantët duhet të vijë në dëm të anëtarëve të shoqërisë që i pret ata. Ky besim është i ngulitur thellë në shoqërinë perëndimore, ndonëse rrallë herë është i justifikuar. Kjo lloj sjelljeje merr formën e armiqësisë ndaj imigrantëve, “vetëfryrjes” – shpeshherë në formën e nacionalizmit – dhe mbështetjes për përjashtimin e imigrantëve dhe refugjatëve. Kur migrantët lejohen të vendosen në një vend të ri, ata shpeshherë përballen me dilemën “hall të shkojmë, hall të mos shkojmë”. Nëse janë ekonomikisht të suksesshëm, shihen si njerëz që u marrin vendet e punës vendësve; nëse nuk janë të suksesshëm, shihen thjesht si parazitë në sistem.
Refugjatët dhe ata që kërkojnë strehim ka më shumë gjasa të shihen në mënyrë armiqësore. Studimet kanë treguar se temat më të zakonshme në media – duke përfshirë ankesat se kërkuesit e strehimit janë “të rremë” dhe të lidhur me kriminelë, terroristë dhe sëmundje – shkaktojnë dehumanizim. Ky perceptim i lejon disa në vendet pritës që të thonë se refugjatët e meritojnë trajtimin e padrejtë dhe jonjerëzor që marrin.
Këto reagime ndryshojnë në varësi të faktorëve të jashtëm që rrisin pasigurinë dhe ankthin, si dhe sfidojnë status quo-në. Recesioni ekonomik, fatkeqësitë natyrore dhe kërkesat për të drejta të barabarta për migrantët mund të theksojnë më shumë perceptimin për konkurrencën me shumë zero dhe rreziqet nga jashtë. Shpërthimi i Ebolës, për shembull, ndihmoi për të ndezur ndjenjat antiimigrim kundër hispanikëve në SHBA, ndonëse nuk ka patur raste të Ebolës në vendet e Amerikës Latine.
Ndryshimi i këtyre sjelljeve nuk është i lehtë. Ne dimë që thjesht t’u thuash njerëzve që imigrantët nuk po marrin burime, shkakton “kundërplasje”. Kjo mund të ndodhë se besimi i “shumës zero” është i ngulitur thellë.
Ndryshimi mund të jetë më i lehtë në vende të ndërtuar mbi imigrimin, si Kanadaja, SHBA dhe Australia. Duke u fokusuar në historinë e tyre, mbi atë që imigrantët e sotëm kanë të përbashkët me ata të djeshëm, si dhe në përfitimet që sjellin imigrantët, mund të ndihmojë për krijimin e një identiteti të përbashkët dhe qasje më pozitive.
Megjithatë, kjo nuk do të funksionojë në vende si Mbretëria e Bashkuar, që nuk e shohin veten si të ndërtuar mbi imigrimin. Në këta vende, përpjekja për të përshkruar imigrantët si pjesë e një grupi brendashtetëror mundet që thjesht të përforcojë sjelljen negative.
Ajo që është boll e qartë, është se imigrimi dhe kërkimi i strehimit nuk do të largohen. Vendet që integrojnë imigrantët me sukses kanë më pak gjasa të ndiejnë stresin dhe më shumë gjasa të marrin përfitimet. Janë të shumtë ata që e kanë kuptuar këtë gjë së fundmi dhe po zbatojnë politika të reja: Task Forca e Obamës për Amerikanët e Rinj është një shembull. Ato vende që vendosin thjesht të përplasin derën janë vënë në kërkim të telasheve.

* Victoria Esses është profesore e psikologjisë dhe drejtore e Qendrës për Kërkime mbi Migrimin dhe Marrëdhënieve Etnike në Universitetin e Ontarios Perëndimore, Kanada

Artikulli paraprakRuni jashtë Kombëtares
Artikulli tjetërLimaj i lirë nga akuzat për krime lufte