Armata e përmbysjes së krimit

Lulzim BASHA

I falënderoj të gjithë intelektualët që na janë bashkuar në sheshin e lirisë në këto ditë të qëndresës për Shqipërinë e zgjedhjeve të lira, për Shqipërinë e drejtësisë së pakapur, për Shqipërinë e pakapur nga krimi. Edhe sonte i kemi të pranishëm, edhe sonte do t’i kemi pjesë të diskutimit tonë të përnatshëm. Ndaj le t’i shprehim mirënjohjen tonë për angazhimin e vërtetë intelektualëve të vërtetë që angazhohen për fatet e vendit të tyre, për fatet e qytetarëve. Dua ta nis me një lajm të trishtë, por po kështu një lajm, i cili na bën edhe më të fortë, edhe më të vendosur në betejën tonë. Dje bandat e republikës së vjetër kanë sulmuar dhe kanë agresuar dy vajza 29-vjeçare nga Fieri.
Kanë sulmuar Antonetën dhe motrën e saj binjake për arsyen e vetme se në bashkimin e madh popullor të 18 shkurtit ishin këtu dhe qëndruan këtu prej minutës së parë e deri në fundin e asaj mbrëmjeje, bashkë me dhjetëra e qindra vajza të tjera, me dhjetëra e qindra gra nga Fieri e Tirana dhe gjithë Shqipëria. E pra, bandat e Republikës së vjetër dje kanë ngritur dorë mbi Antonetën, vetëm e vetëm për këtë arsye: Sepse pati guximin, sepse pati vendosmërinë, sepse pati qytetarinë të jetë pjesë e këtij bashkimi të madh popullor.
Sot kam një thirrje për Policinë e Fierit, keni afat deri në orën 24:00 të darkës për arrestimin e autorit, i cili është i njohur publikisht nga ju. Mos e zvarrisni çështjen, arrestojeni autorin ose merrni përsipër pasojat e parikuperueshme të mosveprimit tuaj. Ky është mekanizmi i republikës së vjetër. E keni parë në Korçë në zgjedhjet e 2014-ës, e patë në zgjedhjet lokale të 2015-ës, e patë së fundmi në Dibër, në zgjedhjet e shtatorit të kaluar.
Bandat dhe banditët e kurdisur dhe të paguar nga qeveria e krimit, bandat dhe banditët e paguar me lekët e pista të drogës kanë guximin të frikësojnë, të terrorizojnë dhe të godasin qytetarët, vetëm e vetëm për bindjet e tyre politike, vetëm e vetëm për shkak se duan të japin votën e tyre si qytetarë të lirë.
Ky është fundi i republikës së krimit, e cila ka ndërtuar mekanizmat me kriminelë për të shtypur qytetarët e lirë dhe ku Policia e Shtetit, Prokuroria dhe gjykatat nuk arrijnë të vendosin ligjin, por kthehen “de facto” në mburojë të bandave. Ky është fundi i këtij shteti, kjo është tirania e krimit dhe tiranitë e krimit përmbysen dhe prandaj jemi këtu të gjithë bashkë, sepse kemi vendimin për të mos pranuar kurrë më tiraninë e krimit.
Shtetin e të padrejtës, shtetin që mbron dhunuesin, në vend që të mbrojë të dhunuarin e të godasë me forcën e ligjit dhunuesin.
Ky është mekanizmi në dritën e diellit që shteti i bandave të Edi Ramës përdor për të tjetërsuar vullnetin e qytetarëve në zgjedhje. Ky është mekanizmi që ka rikthyer dhe dëshiron të rikthejë në rrugët tona, në sheshet tona, në qytetet tona dhe në fshatrat tona, terrorin. Jo më terrorin politik si dikur, por terrorin e bandave të veshura me pushtet.
A mund ta pranojnë më shqiptarët këtë?
A jemi gati të pranojmë këtë?
A jeni gati të ulni kokën dhe të pranoni terrorin e bandave, republikën e bandave, shtetin e bandave?
Jemi këtu për t’i thënë njëzëri Jo, dhe jemi këtu derisa republikën e vjetër ta përmbysim, ta varrosim dhe mbi të të nisim udhëtimin e një Shqipërie të re, ku ligji funksionon, ku ligji mbron qytetarët njësoj, ku ligji godet me ashpërsinë e tij këdo që prek dhe dhunon të drejtat e qytetarëve.
Por republika e vjetër, republika e krimit, republika e bandave nuk e do agimin e Republikës së re. Prandaj, teksa futemi në ditën e 11-të të kësaj proteste popullore, e dëgjoni se çfarë kanë shpikur për t’i ikur vendimmarrjes popullore për zgjedhje të lira dhe të ndershme, për zgjedhje të lira dhe të ndershme pa Edi Ramën, dhe pa qeverinë e bandave, kanë shpikur vettingun.

Vettingu i kriminelëve të Ramës

Vettingun e doka më shumë Edi Rama, e doka më shumë Saimir Tahir, e doka më shumë Erion Veliaj sesa qytetarët shqiptarë.
E do pra, njeriu që solli në Parlament Arben Ndokën, që solli në Parlament Armando Prengën, që solli në Parlament Mark Frrokun, tre kriminelë me damkë të cilët u detyrua t’i lështonte njëri pas tjetrit pas presionit popullor, por asnjërin prej tyre nuk e lëshoi në zbatim të ligjit të dekriminalizimit.
A ka njeri që e beson se Edi Rama, që kriminalizoi deri në palcë Parlamentin e Shqipërisë, që emëroi banditët kryetarë bashkish, që emëroi “Eskobarin e Ballkanit”, drejtor të Transportit për Jugun e Shqipërisë dhe e mbrojti deri në fund, është i interesuar për gjyqtarë dhe prokurorë të ndershëm?
A ka njeri që beson se ministri i Brendshëm që u demaskua publikisht nga oficerët e policisë se me makinën e tij private banda famëkeqe e Habilajve transportonte drogë, se ky dashka të ketë prokurorë dhe gjyqtarë të ndershëm?
Apo do të ketë prokurorë si prokurorja e Fierit që ia mbylli dosjen e Habilajve?
A ka njeri që e beson se Erion Veliaj, i cili çdo dy netë drekon e darkon me prokurorë për të mbyllur dosjen e Ardit Gjoklajt dhe për të mbyllur me dhjetëra dosje të tjera korruptive, do drejtësi të pavarur, drejtësi të pakapur?
Sigurisht që jo.
Kush e do drejtësinë e pakapur në këtë vend?
E duan qytetarët e thjeshtë dhe bashkë me qytetarët e thjeshtë e dua unë dhe e do Partia Demokratike dhe opozita si aleate në luftën kundër krimit, si aleate në luftën kundër korrupsionit.
Po, Lulzim Basha e votoi vettingun më 22 korrik, vettingun e vërtetë që pastron drejtësinë nga prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar, nga ata që mbrojnë politikanët e korruptuar.
Por Edi Rama, njeriu më i pikëlluar i 22 korrikut, theu premtimin që tha para komunitetit ndërkombëtar, kaloi 6 nga 7 ligjet pa konsensus, pikërisht që përmes vettingut të republikës së vjetër të ruajë pushtetin e krimit, të ruajë pushtetin e drogës, të ruajë pushtetin e korrupsionit, në vend që ta shkatërrojë atë.
Po, do të ketë vetting, vettingu do të kalojë një ditë pas rrëzimit të republikës së vjetër, një ditë pas rrëzimit të qeverisë së bandave, një ditë pas largimit të kryeministrit të bandave dhe një ditë pas krijimit të një qeverie teknike që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Kurrë nuk do të pranohet një drejtësi e kapur

Disa shoqata janë thirrur për t’i dhënë një dorë ndihmë, për t’i dhënë fijen e kashtës të mbyturit nga vala popullore e zemërimit, e vendosmërisë, e qendresës për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Këto shoqata nuk mbrojnë interesin e shqiptarëve. Këto shoqata nuk mbrojnë interesin publik. Këto të ashtuquajtura OJF apo OJQ, shohin vetëm interesin e tyre.
Ku ishin këto shoqata kur krimi ngrihej në pushtet? A keni dëgjuar ndonjërën prej tyre të ngrejë zërin kundër ndonjërit në politikë?
Ku ishin këto shoqata kur Shqipëria u mbulua me drogë nga jugu në veri, nga lindja në perëndim? A keni dëgjuar ndonjërën prej këtyre shoqatave të ngrejë zërin?
Ku ishin këto shoqata kur shqiptarët u dhunuan, kur zgjedhjet e tyre u manipuluan, u shkatërruan dhe u vodhën nga krimi dhe droga të lidhur me pushtetin? A keni dëgjuar ta ngrejë zërin ndonjëra prej tyre?
Sigurisht që jo, sepse këto shoqata nuk përfaqësojnë dhe nuk mbrojnë interesat e shqiptarëve, ato mbrojnë vetëm interesat e tyre dhe xhepat e tyre, ato paguhen me miliona nga paratë e donatorëve dhe paratë e taksapaguesve shqiptarë, me një qëllim që të shërbejnë si fasadë për këtë pushtet të korruptuar e të lidhur me krimin. Ndaj sot, i bëj thirrje, të heqin dorë nga fasada, të heqin dorë nga bashkëpunimi me krimin! Ligji i Republikës së Shqipërisë, etika e qytetarëve të Shqipërisë i tregon me gisht si bashkautorë me këta që duan të mbajnë në këmbë krimin dhe kriminelët, duke mbajtur në këmbë një drejtësi të korruptuar.
Këtë nuk e pranojmë kurrë!
Ne nuk do të pranojmë kurrë një drejtësi të kapur nga Edi Rama. Ne nuk do të pranojmë kurrë një drejtësi të kapur nga qeveria e bandave. Ne nuk do të pranojmë kurrë një drejtësi të kapur nga republika e vjetër. Ndaj republika e vjetër është nisur në rrugën pa kthim drejt varrosjes.
Ne do të ndërtojmë Republikën e re, e cila fillon me përgatitjet për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe vazhdon me vettingun ashtu siç e kemi përcaktuar më 22 korrik, jo siç e do Rama për t’u mbrojtur, jo siç e do Tahiri dhe Veliaj për t’u mbrojtur, por siç e duan qytetarët shqiptarë, vetting të vërtet dhe jo vetting fasadë, drejtësi të vërtetë dhe jo drejtësi të kapur.
Kush ka veshë, le ta dëgjojë, kush ka mendje le ta kuptojë, nuk ka vend për mosnjohje të problemit. Ata që duan vettingun, janë sot me opozitën për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe pastaj vetting sipas Kushtetutës. Ata që nuk e bëjnë këtë zgjedhje kanë vendosur të rreshtohen në krahun e krimit, korrupsionit dhe republikës së vjetër dhe i pret i njëjti fat si republika e vjetër.
Zgjedhje të lira dhe të ndershme, fjalë të thjeshta, betejë e madhe. Përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme do të largojmë këtë pushtet të korruptuar dhe të inkriminuar.
Prandaj, do të bëjnë çdo gjë për të na shkurajuar, do të bëjnë çdo gjë për të na trembur, do të bëjnë çdo gjë për të na lodhur.
A do të shkurajohemi?
A do të trembemi?
A do të lodhemi?
A do të qëndrojmë deri në fitore?
Deri në zgjedhje të lira dhe të ndershme?
Tregojani Ramës!
Natë për natë, ditë për ditë: Rama ik!

Artikulli paraprakShkelma e grushta dy motrave nga Fieri pse ishin në protestë
Artikulli tjetërDebati për ushtrinë e Kosovës në OKB