Apostolova: Demarkacioni duhet të ratifikohet me urgjencë

Përfaqësuesit e Bashkimit Evropian iu kanë kërkuar sërish institucioneve të Kosovës që Marrëveshja e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi të ratifikohet brenda një afati sa më të shkurtër kohor.
Këtë komente janë bërë gjatë prezantimit të prioriteteve të presidencës bullgare të Bashkimit Evropian në Kosovë.
Fokus i presidencës bullgare, sipas ambasadorit, Nedialtço Dantçev, vihet tek lidhjet e Ballkanit Perëndimor me BE-në, pastaj e ardhmja e Evropës dhe të rinjve, rritja ekonomike, siguria dhe stabiliteti në një Evropë të fortë dhe të bashkuar.
Me fillim të këtij viti, Bullgaria ka marrë udhëheqjen e presidencës së Bashkimit Evropian, duke u bërë vendi i parë nga Ballkani që merr një pozitë të tillë për gjashtë muajt e ardhshëm.
Shefja e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka thënë se Marrëveshja e Demarkacionit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi duhet të ratifikohet si çështje e interesit nacional për të ndalur vetizolimin.
Ajo ka bërë të ditur se me strategjinë për zgjerimin e Ballkanit Perëndimor që do të vijë në shkurt dhe prezantimi i raportit për Kosovën në prill, Kosova, siç thotë Apostolova ‘ka mundësi që të demonstrojë përkushtimin për vlerat evropiane dhe të prezantojë një imazh pozitiv pjesës tjetër të Evropës’.
“Kosova duhet të shfrytëzojë këtë mundësinë unike, duhet të ratifikojë Marrëveshjen për Demarkacionit e kufirit me Malin e Zi. Kjo do të jetë një sinjal i vërtetë që Kuvendi po punon në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Marrëveshja e Demarkacionit duhet të ratifikohet si çështje e interesit nacional për të ndalur vetizolimin e Kosovës dhe të ecim përtej interesave personale të disa qarqeve politike”, thotë Apostolova.

Artikulli paraprak‘SPD duhet të arrijë edhe më shumë në negociata’
Artikulli tjetër“Vuloset” ndarja e Lëvizjes Vetëvendosje