Apartamenti 271 mijë euro i Damianit

 

Damian Gjiknuri është drejtuesi i një prej ministrive më fitimprurëse në vend, e cila merret me energjetikën, si dhe industrinë e gazit e naftës, koncecionet e të cilave vlejnë miliona euro apo dollarë. Emri i tij jo pak herë është përmendur në media, akuza e madje edhe hetime të Prokurorisë në lidhje me afera të dyshimta korruptive, ku në lojë kanë qenë shuma marramendëse parash.
Ai është një ndër ministrat kryesorë të akuzuar për mega aferën e CEZ, ku sipas KLSH konkludoi se shtetit shqiptar i është shkaktuar një dëm financiar prej 479 milionë eurosh nga marrëveshja për zgjidhjen me mirëkuptim mes palëve e arritur nga qeveria dhe grupi çek CEZ, i cili ishte pronar i 76 për qind të aksioneve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. Përgjegjës i këtij dëmi ishte Damian Gjiknuri.
Duke qenë pjesë e të tilla skandaleve, sigurisht që Gjiknuri i ka siguruar vetes shuma të majme parash në mbylljen e pazareve dhe aferave.
Nëse i hedh një sy deklaratës së pasurisë së Gjiknurit për vitin 2016 sheh se si megjithë përpjekjet për të fshehur ku të munden pasuritë e vendosura sërish e kanë të pamundur t’i mbulojnë tërësisht ato. Në vetëm një vit, rezulton se, Ministrisë i rikonfiruar tashmë nga Rama në drejtimin e dikasterit të Energjisë dhe Industrisë ka bërë një investim jo pak të vogël në blerjen e një apartamenti të ri.
Sipas të dhënave në deklaratën e pasurisë së Gjiknurit, të publikuar nga portali Open Data rezulton se në 2016, Gjiknuri ka porositur një apartament të ri banimi prej 199.5 metrash katrorë, që për një buxhet të thjeshtë familjar shqiptar do të thotë mesatarisht hapësira e plot tre apartamenteve, në mos katër. Duke iu referuar të njëjtave të dhëna rezulton se, për këtë vlera e këtij apartamenti banimi është 271 mijë e 450 euro, nga të cilat ministri i Ramës ka paguar këstin e parë prej 100 mijë eurosh. Ndërkohë që nuk dihen veprimet e kryera gjatë këtij viti.
Por si ka ndryshuar pasuria e Gjiknurit ndër vitet që ai ka qenë ministër? Në deklaratën e pasurisë për vitin 2015, ministri Damian Gjiknuri ka bërë të ditur se të ardhurat e tij nga paga si ministër kanë qenë 1 671 249 lekë, ndërsa të ardhurat e bashkëshortes, Rovena Gjiknuri nga paga dhe shpërblime të tjera si drejtuese departamenti në TV “Top Channel” janë 1 100 000 lekë.
Por sipas të dhënave të deklaruara në ILDKPKI, bashkëshortja e ministrit ka përfituar të ardhura bruto edhe nga aktiviteti privat studio projektimi, Fabrika me shumën e 1 939 654 lekëve, të ardhura nga kthim huaje e deklaruar edhe në vitet e mëparshme në vlerën 10 000 euro si dhe të ardhura nga shitja e një automjeti me vlerën e 15 000 eurove.
Ajo që bie në sy është fakti, që bashkëshortja e ministrit Gjiknuri ka blerë një makinë që kap vlerën e 44 mijë eurove, ndërsa ka pakësuar në llogarinë rrjedhëse nga paga në vlerën e 436 869 lekë.
Për vitin që kaloi, në 2014, Gjiknuri ka shlyer në vlerën 284 523 lekë një kredi për shtëpi e marrë në banka të nivelit të dytë me vlerë 5 milionë lekë, ku detyrimi i mbetur në datën 31 dhjetor është 1 615 000 lekë, gjithashtu është shlyer edhe një kredi në vlerën e 4 664 euro, kredi e marrë nga bashkëshortja për blerje makine, totali 30 000 euro.
Për vitin 2015 në familjen Gjiknuri është pakësuar një llogari rrjedhëse me 61 621 lekë, një tjetër llogari me 2 080 lekë, ndërsa janë shtuar një llogari me 87 200 lekë, shtuar një llogari tjetër me 10 053 lekë si dhe shtuar një llogari në valutë të biznesit me 9 702 lekë.
Pavarësisht këtyre të dhënave të cunguara, kuptohet që pasuria e Gjiknurit është shumë herë më e lartë nga ajo që ai përpiqet të servirë në deklarimin e tij, ku pjesën më të madhe të pasurisë së tij ashtu si Rama dhe ministrat e deputetët e tjerë socialistë e ka të fshehur.

Pasuria e Damian Gjiknurit për 2016

1) Porositur një apartament banimi me sipërfaqe 199.5 m2, vlerë 271 450 euro, për të cilin është paguar kësti i parë 100 000 euro me kredi, pjesa takuese 50%.
2) Gjendje llogarisë bankare, pakësuar me 5 271 euro.
3) Gjendje llogarisë bankare për pagën, shtuar me 942 495 lekë.
4) Gjendje llogarisë bankare, shtuar me 113 491 lekë.
5) Bashkëshortja, gjendje llogarisë bankare, shtuar me 123 211 lekë.
6) Bashkëshortja, gjendje llogarisë bankare, shtuar me 165 160 lekë.
7) Bashkëshortja, gjendje llogarisë bankare, pakësuar me 1 312 euro.
Kredi, shlyer për vitin 2016 vlera 284 500 lekë për kredi bankare për shtëpi banimi marrë në banka të nivelit të dytë me vlerë 5 milionë lekë dhe me interes vjetor 3%, ku detyrimi i mbetur në datën 31 dhjetor është 2 598 411 lekë.
2) Shlyer për vitin 2016 vlera 2 900 euro për kredi për shtëpi, ku detyrimi i mbetur në datën 31 dhjetor është 98 550 euro.
3) Bashkëshortja, shlyer për vitin 2016 vlera 6 420 euro për kredi bankare, ku detyrimi i mbetur në datën 31 dhjetor është 23 122 euro.
4) Paguar 100 000 euro si këst i parë për porosi apartamenti burimi kredi bankare.

 

Artikulli paraprakShqiptari kapet në Itali me 38 kg drogë të fshehur në makinë
Artikulli tjetërKërcënohet akademiku Artan Fuga: Më thanë mbyll gojën ose ik!