Anglia, Sam Allardyce zyrtarisht trajneri i ri

Sam Allardyce është zyrtarisht trajneri i ri i Anglisë. Ish-tekniku i Sunderland-it firmosi një kontratë 2-vjeçare me përfaqësuesen e Tre Luanëve dhe do ta drejtojë Anglinë deri në përfundim të Botërorit Rusi 2018. “Big Sam” siç njihet nga të gjithë merr kështu vendin e lënë bosh nga Roy Hodgson, i cili dha dorëheqjen pas eliminimit nga Islanda në raundin e 1/8-ve të Euro 2016. Lajmi për emërimin e Allardyce si trajneri i ri i kombëtares u konfirmua nga federata angleze e futbollit në faqen zyrtare.
Allardyce arriti të fitonte konkurrencën me Steve Bruce dhe Jurgen Klinsmman, të cilët ishin dy emrat e tjerë që ishin përfolur për t’u ulur në stolin e Tre Luanëve. Për ta shkëputur 61-vjeçarin nga detyra si trajner i Sunderland-it, federata angleze e futbollit pagoi një dëmshpërblim të majmë. Në kontratën e firmosur nga Allardyce me drejtuesit e federatës angleze ekziston edhe opsioni i rinovimit për dy vite të tjera, pra deri në fund të Europianit 2020, por gjithçka do të varet nga paraqitjet që do të bëjë Anglia në kampionatin e ardhshëm Botëror. Trajneri 61-vjeçar menjëherë pas firmës foli për faqen zyrtare të federatës teksa deklaroi se për të është një nder të jetë trajneri i ri i kombëtares, duke shtuar do të bëjë gjithçka për të arritur sa më shumë suksese me Anglinë, pasi tifozët e meritojnë diçka të tillë.
Trajneri i ri do të sjellë stafin e tij dhe Geri Nevill nuk do të jetë më zëvendëstrajner. Legjenda e Mançester Junajtid kaloi 4 vite përkrah Hoxhsonit, i cili dha dorëheqjen pas eliminimit të turpshëm të Anglisë në 1/8-at e Europianit nga Islanda. Pavarësisht se Hoxhson u largua së bashku me stafin e tij, këto ditë ishte përfolur se Nevill mund të vazhdonte të ishte pjesë e stafit teknik të përfaqësueses.

Artikulli paraprakIndipendiente Del Valle-Atl. Nacional ndahen në paqe
Artikulli tjetërTurpërohet Murinjo