Anglia e Gjermania me një këmbë në Botëror

Anglia mori një fitore shumë të rëndësishme ndaj Sllovakisë në “Wembly”, duke blinduar vendin e parë në Grupin F kualifikues, por matematikisht ende nuk është në finalet e Rusi 2018. Përfaqësuesja e Tre Luanëve triumfoi 2-1 me përmbysje në një sfidë që nisi keq për vendasit, pasi Lobotka shënoi për Sllovakinë që në minutën e tretë. Gjithsesi në pjesën e dytë, Eric Dier dhe Marcus Rashford kthyen rezultatin në favor të formacionit të Southgate, që tashmë pret i qetë dy takimet e fundit me Slloveninë dhe Lituaninë, teska diferenca me vendin, Sllovakinë, është thelluar në 5 pikë. Po në Grupin F, Skocia iu imponua 2-0 Maltës, me gola të Berras dhe Griffin, ndërsa Sllovenia gjunjëzoi 4-0 Lituaninë. Për skuadrën e Katanecs realizoi një dygolësh Iliçiç dhe në të dy rastet nga pika e bardhë e 11 metërshit në minutat 25′ dhe 61, për të ardhur më pas te golat e Verbiç dhe Birsas në minutat e fundit të takimit.
Gjermania e ktheu në stërvitore takimin me Norvegjinë, të cilën e mposhti me rezultatim e thellë 6-0. Kampionët në fuqi të botës duhet të presin takimet e tetorit me Irlandën e Veriut dhe Azerbajxhanin për të qenë zyrtarisht në Botëror si të parët e Grupit C. Më “Mercedez Arena” të Stutgardit serinë e golave e hapi Mesut Ozil, për të vijuar më pas me finalizimin e Darxler dhe dygolëshin e Verner.
Gjatë 45 minutave gjetën gjithashtu rrjetën Goretzka dhe Gomez, me Norvegjinë që nuk mundi të realizonte as golin e nderit.
Irlanda e Veriut bëri thjesht detyrën në Windsor Park të Belfastit ku mposhti 2-0 Republikën çeke, që duhet t’i thotë zyrtarisht lamtumirë botërorit. Të dy golat e kësaj ndeshjeje u realizuan që në pjesën e parë nga Evans dhe Brunt.
Po në të Grup, Azerbajxhani shkatërroi 5-1 San Marinon, rezultat që i ngjit azerët në vendin e tretë. Ismailov dhe Abdullayev sigluan golat e vendasve në pjesën e parë. Ismailov realizoi të dytin personal në të 57-ën, për të ardhur më pas tek autogoli i Cevolit.
San Marino gjeti golin e nderit me Palazzin në të 74-ën, ndërsa rezultatin përfundimtar e vulosi Sadygov 9 minuta para përfundimit të kohës së rregullt.
Në Grupin E, Polonia nuk zhgënjeu para tifozëve të saj, teksa fitoi me rezultatin e thellë 3-0 ndaj Kazakistanit. Milik u dha epërsinë polakëve në pjesën e parë, ndërsa në fraksionin e dytë, kazakët u ndëshkuan edhe dy herë të tjera nga Glik dhe Lewandowski.
Goli i Stefan Jovetiç i dha tri pikë shumë të rëndësishme Malit të Zi në derbin ballkanas ndaj Rumanisë, ndërsa Danimarka tregoi karakter në fushën e Armenisë, ku triumfoi 1-4.
Koryan zhbllokoi sfidën në favor të vendasve në minutën e 6-të, por Delaney dhe Erikssen përmbysën shifrat që në pjesën e parë, me danezët që shkuan në dhomat e zveshjes në avantazh 1-2.
Fitorja e thellë e danezëve u kompletua nga finalizimet e Schones dhe sërish Delenayt në kohën shtesë.

Artikulli paraprakStart i frikshëm
Artikulli tjetërTavecchio: Apokalips nëse nuk shkojmë në Rusi