Ançeloti u largua nga Reali për Bejl

Mediat spanjolle kanë kthyer dje përsëri në plan të parë largimin e Karlo Ançelotit nga Real Madrid në verën e vitit 2015, pak muaj pasi ai kishte arritur të fitonte Ligën e Kampioneve numër 10 me madrilenët. E përditshmja “AS” ka publikuar dje pjesë të autobiografisë së trajnerit italian ku zbuloheshin prapaskenat e asaj lamtumire, e cila u duk shumë e çuditshme.
“Gjërat po shkonin mirë, por më pas ndodhën dy probleme shumë të mëdha”, tregon Ançeloti. “I pari ishte nga statistikat e UEFA-s, të cilat ‘zbuluan’ se, ekipi ynë nuk stërvitej aq shumë sa klubet e tjera të mëdha europiane.
Ne kishim fituar 22 ndeshje radhazi dhe po bënim gjithçka mirë. Por pastaj humbëm fiks, kur doli kjo statistikë dhe klubi filloi të bënte presion. Më thanë që duhej të punonim më shumë. Por unë mendoja të kundërtën, lojtarët duhej të pushonin se kishim kaluar një muaj të lodhshëm dhe me dëmtime, që rezultoi fatal në humbjen e kampionatit. Ajo e statistikave ishte një sinjal i qartë se, Madridi besonte më shumë te shifrat sesa te puna ime”, tregoi trajneri italian.
Problemi i dytë me sa duket ishte edhe më vendimtar, pasi kishte lidhje direkte me një nga lojtarët më të përkëdhelur në klub, Garet Bejl. “Drejtori i përgjithshëm më tha që presidenti Florentino Perez dëshironte të fliste me mua. Kur shkova në zyrën e tij, më tha se Bejl e kishte telefonuar. E kisha zëvendësuar më 4 janar (humbja 2-1 ndaj Valencias që ndali serinë e fitoreve të Realit).
Menaxheri i Bejl pastaj ishte ankuar, sepse Garet dëshironte që të luante në qendër. Presidenti më pyeti se çfarë kisha ndërmend të bëja dhe iu përgjigja ‘Asgjë’. Nuk mund të ndryshoja sistem loje në mes të sezonit. Që nga ai moment, marrëdhënia që kisha me presidentin nuk ishte më e njëjta”, tregoi Ançeloti. Një fitore me Bajernin në Madrid do të ishte një shpagim i mirë, apo jo?

Artikulli paraprakMurinjo: Nuk ndiej kënaqësi ekstra
Artikulli tjetërZidane qëndron te Reali edhe sezonin e ardhshëm