Ançeloti mposht Pep

Pep Guardiola u kthye në “Allianz Arena”, këtë herë si kundërshtar i Bayern Munchen dhe në drejtim të stolit të Manchester City. “Mirë se u ktheve”, ishte parulla e dedikuar e vendosur në dhomat e zhveshjes dhe e vetmja përshëndetje miqësore gjatë përballjes testuese të luksit. Pritja nga tifozët bavarezë ishte e ftohtë, ndërsa në fushë Guardiola u mposht 1-0 nga Carlo Ançelotti, që e pasoi në krye të stolit të Bayern-it. Miqësorja prestigjioze, e karakterizuar nga mungesat e shumë yjeve pas Euro 2016 dhe Kupës së Amerikës, u vendos nga goli i të riut Erdal Ozturk. Në të 76-ën, ylli i ri i Bayernit devijoi në rrjetë harkimin e Gael Clichy. Një sukses i merituar për kampionët e Gjermanisë, që aktivizuan formacionin më të mirë, me Franck Ribery që dukej në formë mjaft të mirë.
Tani Manchester City do të niset për turneun në Kinë, ku do të luajë edhe derbin me Manchester United të Jose Mourinho-s. Por, megjithë humbjen, Guardiola e sheh gotën gjysmë plot. “Jam mjaft i kënaqur. Skuadra zbatoi shumë nga ato gjëra, për të cilat kemi punuar në stërvitje. Nuk duhet të harrojmë që u përballëm me një skuadër të madhe, e cila i kishte të gjithë lojtarët më të mirë në dispozicion, ndërsa ne u paraqitëm me lojtarë të rinj, të cilët gjithsesi luajtën mirë. Na duhet kohë. Nevojitet të luajmë të tjera ndeshje si kjo, në mënyrë që të testojmë nivelin e të rinjve dhe të kuptojmë si t’i përdorim gjatë sezonit”, tha Guardiola.
Mario Gotze sezonin e ardhshëm do të jetë një lojtar i Borusia Dortmund, kjo është konfirmuar edhe nga vetë klubi i Bajernit të Mynihut. Pas 3 vjetësh ku mbahen mend disa gola me peshë, shumë dëmtime, disa faqe të para gazetash, mosmarrëveshje me Guardiolën dhe një dashuri që nuk lindi asnjëherë, Mario Gotze ka lënë Bayern Munchen për t’u rikthyer në Dortmund. Klubi nga Ruhr e shiti në vitin 2013 sulmuesin gjerman për 37 milionë euro dhe e rikthen në skuadër për 26 milionë, duke sigluar edhe një kontratë të vlefshme deri në 2020.
Gotze që me Bayern kishte një kontratë deri në 2017, luajti 114 ndeshje në këto tre sezone, ku shënoi 36 gola, fitoi 3 kampionate, 2 kupa të Gjermanisë, një Superkupë UEFA dhe një botëror për klube, por kurrë nuk gjeti një hapësirë fikse në formacion. Dhe tani në moshën 24-vjeçare, me një pjekuri më të madhe sportive, kthehet te klubi që e nxorri në vitrinën e futbollit botëror, si një prej talenteve më të mëdhenj të 10-vjeçarit të ardhshëm.
Fantazisti gjerman që do të riveshë fanelën me numër 10, pas lamtumirës së Mkhitaryan, nuk e fshehu aspak gëzimin e tij: “Nuk kam pse të fshihem, kur u largova 3 vjet më parë mora një vendim të vetëdijshëm. Por kur kanë kaluar tre vjet, e shikoj me një tjetër sy largimin dhe e kuptoj pse shumë tifozë nuk arrinin të më kuptonin atëherë. Tani jam kthyer në shtëpi dhe dua të fitoj zemrat e të gjithëve duke luajtur mirë”.

Artikulli paraprakOdise Roshi te Terek Grozni, zyrtarizimi deri në mbrëmje
Artikulli tjetërJa sfidat e International Champions Cup