Analisti, thirrje protestuesve: Kuksianët ta çojnë traun e Ramës në muzeumin e Rilindjes, opozita të prijë revoltën

Nga dita e hënë, rikthehet tarifa për çdo kalim në “Rrugën e Kombit”. Nga ky tarifim, preken edhe banorët e Kukësit, një nga qarqet më të varfra në vend. Analisti i njohur, Agron Gjekmarkaj tregon në një intervistë për politiko.al se si ndikon ky vendim në jetesën e banorëve të Kukësit, apo edhe vizitorëve nga Kosova.
Ndër të tjera, Gjekmarkaj thotë se opozita duhet të jetë në vijën e parë të reagimit lidhur me këtë taksim të shqiptarëve, e veçanërisht kuksianëve, pa u kompleksuar aspak.
-Të hënën koncensionari i ‘Rrugës së Kombit’ ul traun dhe fillon pagesat. Si e ndikon ky vendim në jetesën e banorëve të Kukësit, por edhe vizitorëve nga Kosova?
Trau ndan surrealizmin e qeverisë me realitetin e Kuksianve, Mirditorve, Kosovarve dhe të gjithë atyre shqiptarëve që për hall apo për qejf detyrohen të ecin mbi atë rrugë! Ajo është rruga e vetme, jo ajo e sloganit elektoral që predikonte kryeministri Edi Rama, e cila premtonte selametin teksa po ju bën peshqesh zonave më të varfra të vendit ‘Traun e xhelepit!’. Për rrugën e vetme në asnjë vend të Europës nuk ka taksa. Një mijë lek të vjetra për kalim që ndokush i le apo nga kopracia nuk i le bakshish në kafet e Tiranës i shkakton buzagaz, për ata banorë janë shumë, janë të varfër, të papunë. Për tej ndjeshmërisë sociale kemi të bëjmë me një padrejtësi, e cila shndërrohet në bamirësi klienteliste.

Kur rruga u përurua u trumbetua si akti me integrues ndërmjet shqiptarëve këndej e andej kufirit. Ishte gjëja e duhur për atë që kishte munguar më shumë.
Tani për ta, taksa 10 euro është një barrierë e re, një represion i ri që të kujton kohët e vjetra, kur ata që iknin për t’i shpëtuar regjimit të Titos i fusnim në burg, tani u fusim dorën në xhep për t’i grabitur dhe të huasuar nga shteti amë !
Xhelepi i Rilindjes ndikon keq për të gjithë. Të jemi realistë, që një rrugë e tillë ka nevojë për mirëmbajtje e për atë duhen para. I ftojmë lexuesit te meditojmë pak për milionat me euro që u dhanë për koncensionet në mjekësi ose për ato në rrugët fushore tani ? Do të mjaftonin për shumë vjet mirëmbajtje?
-Ju keni shkruar për protestën e fortë të kuksianëve, a do te kemi një reagim tjetër të tyre dhe a duhet mbështetur nga shoqëria civile dhe opozita?
Po, kam shkruar dhe kam qenë në krahun e tyre. Pas pesë vitesh propagande protesta e tyre ishte ftesë për të zbritur në realitet. Ishte një protestë emancipuese e cila e trembi arrogancën e qeverisë. Por siç shohim, pas trembjes erdhi hilja e re ! Shoqëria civile duket një term gati romantik dhe iluzionist por në fakt tek mbrojtja e godinës së teatrit u temporua një bërthamë modeste e saj. Natyrisht çka mbetet prej fosileve te saj e pa kapur nga politika ka detyrimin etik të reagojë.

Ndërsa opozita ka të gjitha llojet e detyrimeve dhe interesave për reagim, nga ato politike e elektorale tek sintonizmi me një kauzë të drejtë e cila i jep kredo morale gjë që ka fort nevojë pas shumë tulatjesh. Po opozita duhet të jetë në vijën e parë të protestës pa u kompleksuar aspak ! Të reagosh kundër grabitjes duket si gjë e madhe por në fakt është minimum qytetar për vendet e lira.
-Koncensionari i ka ‘mbytur’ në reklamë televizionet duke neutralizuar kështu rezistencën mediatike, a shpjegon kjo një përgjumje që ka në raport me përpjekjen e dytë për tarifim të udhëtarëve apo është ulja e çmimit nga koncensionari?
Po, kjo e shpjegon fort mirë ! Ajo që nuk u kapërdi si uthull, po serviret si ëmbëlsirë por siç thotë një këngë e Celentanos “dolce con fondo amaro che’ non manggi piu’” ëmbëlsire me fund të hidhur që nuk e ha më ! Qeveria i ka krahët e ngrohtë në propaganda dhe ajo është bujare dhe nënë e dashur për klientët e vet tahmaqarë. Edhe kuksianet duhet t’i përgjigjen po me Celentanon, por nga e kundërta t’i thonë Ramës “ti penso e’ cambia il mondo- të mendoj e ndryshon bota” dhe të dalin dhe traun ta cojnë në muzeumin e Rilindjes.

protesta

Artikulli paraprakTë hënën beteja për të çliruar Rrugën e Kombit, opozita i bashkohet qytetarëve
Artikulli tjetërThagmë Lasgush, thagmë. E more vesh?!