Analistët të bindur se Kurti do ta dërgojë Kosovën në zgjedhje të reja: Kërkon patjetër votime para zbatimit të Asociacionit

Analistët politikë janë shprehur të bindur se Kosova mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Ata kanë bërë me dije se kryeministri Albin Kurti pretendon ta çojë vendin në zgjedhje para se të fillon zbatimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Në këtë mënyrë, sipas tyre, kryeministri mund të kërkoj mbajtjen e zgjedhjeve gjatë kohës së shqyrtimit të draft-statutit nga Gjykata Kushtetuese.

Analisti Visar Ymeri ka përmendur dy arsyeje pse Kurti dëshiron zgjedhje të reja.

“Nëse shkojmë në zgjedhje për qëllime elektorale të kryeministrit Kurti e këto janë që me shku edhe një herë në zgjedhje pa e zbatu Asociacionin, domethënë mos me dalë në fushatë e me thanë: po e zbatova Asociacionin. Dhe e dyta me shku në zgjedhje me idenë mbase që me bo një koalicion paszgjedhor që me e shpërnda pak përgjegjësinë mos me e marrë krejt mbi vete, atëherë periudha që kishte me qenë e mundshme për këtë gjë është kjo periudha kur draft-statusi është në shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, gjë e cila nuk kryhet për një javë. Ajo zgjat dy muaj apo më shumë, ndoshta për shkak të zgjedhjeve mund të zvarritet edhe më shumë”, ka thënë ai në emisionin “Debat Plus”, duke shtuar se Kurti dëshiron një fushatë zgjedhore pa Asociacion.

“Çka po do Albin Kurti për me e thjeshtëzo fort, është se po e do një fushatë që s`ka nevojë me kallxu qysh e ka pranuar Asociacionin”, ka thënë Ymeri.

Të njëjtën gjë e mendon edhe analisti Imer Mushkolaj.

Ai ka vlerësuar se Kuti po kalkulon për zgjedhje të parakohshëm.

“Albin kurti vetëm për kalkulime politike me fitu edhe një herë pushteti ka me organizu zgjedhje, të cilat do të organizohen pa filluar themelimi i Asociacionit. Albin Kurti nuk është aq se s`po du me përdor terme të renda këtu, po e di saktë që me Asociacionin e ka problem me fitu mbështetje të madhe tek njerëzit”, ka thënë Mushkolaj, duke shtuar se zotimi kryesor i Kurtit ka qenë se nuk do ta themelojë Asociacionin.

“Sepse ka qenë një prej premtimeve kryesore të tij se nuk do ta themelojë. Madje, ka thënë se nuk do të vazhdon fare dialogun me Serbinë. Jemi në piken kur e ka pranuar marrëveshjen me Serbinë, jemi në piken ku e ka pranua draftin për themelimin e Asociacionit”, ka thënë Mushkolaj.

Ndërsa, analisti Yll Hoxha ka parashikuar se zgjedhjet e ardhshme nacionale në Kosovë mund të mbahen gjatë sezonit të pranverës.

Hoxha theksoi se nëse nuk mbahen zgjedhjet, Qeveria e Kosovës do të jetë nën një presion të shtuar.

“Parashoh që zgjedhjet mund të ndodhin më shpejt se në vjeshtë, mund të ndodhin gjatë pranverës sepse nuk shoh që ka rrugëdalje tjetër”, ka thënë ai në “Debat Plus”.

Dy njerëzit kryesorë të VV-së në Kuvend janë shprehur pro zgjedhjeve
Edhe Lëvizja Vetëvendosje po e trason rrugën për zgjedhje të parakohshme këtë vit. Zyrtarë e larë të kësaj partie nuk po e përjashtojnë mundësinë e mbajtjes së këtyre zgjedhje.

Madje, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, kanë përmendur edhe arsyet që mund ta dërgojnë vendin drejt kutive të votimit.

Dy njerëzit kryesor të VV-së në Kuvend kanë thënë se gjatë këtij viti priten dinamika, të cilin mund të kenë ndikim në ndërprerjen e mandatit aktual.

Para dy jave, kryeparlamentari Glauk Konjufca, ka thënë se për shkak të zhvillimeve që pritet të ndodhin gjatë vitit 2024 në SHBA dhe BE është mirë që institucionet e Kosovës të marrin legjitimitet të ri.

“Është mirë që të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Nuk mund ta përjashtoj mundësinë për zgjedhje të parakohshme. Mua më duket që mandati, nëse qeveria mendon se duhet të shkojë deri në fund, kush jam unë t’iu përzihem. Mirëpo, për shkak të vitit 2024 dhe zhvillimeve që i përmenda, do të dëshiroja, ky është mendim imi më privat, që Kosova të mos kalonte nëpër këto procese, e që këto procese të ndikojnë në legjitimitetin e pushtetit të ardhshëm në Kosovë.”, ka deklaruar ai në “Klan Kosova”.

Sipas tij, mbajtja e këtyre zgjedhjeve do të ishte në interes të Kosovës.

“Do të dëshiroja më tepër, është alternativa që e mendoj, që do të ishte shumë më e dëshirueshme… këtë nuk e kam për Lëvizjen vetëvendosje, e kam për Kosovën, do të ishte më e shëndetshme që legjitimiteti i pushtetit të ri të përballet me ato sfida, e jo ato sfida të orientojnë karakterin e legjitimitetit”, është shprehur Konjufca.

As shefja Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, nuk e ka përjashtuar mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja.

Në një intervistë për RTK, ajo ka thënë se viti 2024 pritët të jetë me dinamika të shumta.

“Nuk ka ndonjë parashikim specifik, i cili lidhet me ndonjë datë. Është vit zgjedhor në krejt boten. Nuk e përjashtojë siç e përmenda, se është një vit me dinamika të shumta. Por jo domosdoshmërish mund të garantoj se do të këtë zgjedhje të jashtëzakonshme”, ka thënë Kusari

Deputetja e VV-së ka vlerësuar se mbajtja e zgjedhjeve të reja nuk duhet të jetë befasi.

“Sipas kalendarit zgjedhor ka mundësi që deri në fund të vitit të organizojmë zgjedhje të rregullta të cilat do të jenë në përputhje me kalendarin zgjedhor, i cili në të kundërtën do të ishte në shkurt të vitit 2025. Por, para dhe pas në periudhën 60 ditore ka mundësi të diskutimit ndërmjet subjekteve politike me presidenten e vendit për të gjetur një datë të përbashkët. Prandaj, nuk do të ishte risi nëse Kosova do të ballafaqohet me proces zgjedhur këtë vit. Pra, nuk do të ishte krejtësisht e jashtëzakonshme.”, ka deklaruar ajo.

Edhe liderët e partive opozitare janë shprehur të bindur se shumë shpejt do të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentar./Nacionale

Artikulli paraprakShënohet viktima e parë nga gripi në vend, humb jetën një person nga Gjirokastra
Artikulli tjetërKërkoi pagat e prapambetura, klubi e pezulloi, Cikalleshi mund të rikthehet në Arabinë Saudite