Amnesty International: Turqia po dëbon kurdët

Amnesty International akuzon Turqinë për dëbimin dhe zhvendosjen e rreth gjysmë milioni kurdësh. Ata janë tani të varur nga ndihmat e organizatave ndërkombëtare. Organizata e të drejtave të njeriut Amnesty International akuzon Turqinë për dëbimin dhe zhvendosjen e rreth gjysmë milioni njerëzve. Veçanërisht i prekur është Suri, një lagje e vjetër e populluar nga kurdët në qytetin milionësh Dijarbakir. Shumë shtëpi janë shkatërruar ose dëmtuar rëndë. Përveç kësaj ka pasur shpronësime të shumta. Amnesty u bën thirrje autoriteteve turke që të paguajë dëmshpërblime dhe kompensime adekuate për shpronësimet apo pronat e  shkatërruara. Përveç kësaj, autoritetet duhet t’u sigurojnë ish-banorëve mundësinë për t’u kthyer në lagjen e tyre. Qeveria turke nuk është shprehur deri tani konkretisht për të ardhmen e lagjes Sur.

Gjendje shtetrrethimi
Në shtator 2015 në Sur u vendos për herë të parë gjendje shtetrrethimi për të luftuar terroristët, sikurse u tha. Të rinj përkrahës të PKK-së e shpallën asokohe lagjen Sur si zonë të vetadministruar dhe ngritën barrikada në rrugë. Gjatë luftimeve rrugëve të kësaj lagjeje u vranë edhe 321 civilë të pafajshëm, ndër ta edhe 79 fëmijë. Andrew Gardner nga Amnesty International, thotë se pas këtyre luftimeve u zhvendosën dhe u dëbuan me dhunë nga Suri të paktën 24.000 banorë.

Të varur nga ndërkombëtarët
Kush nuk donte të largohej i duhej të përballej me rreth 20 ditë pa rrrymë elektrike dhe ujë. Shumica e të shpërngulurve jetojnë në banesa të vogla në periferi të qytetit dhe shpesh nuk janë në gjendje të paguajnë qiranë. “Shumë familje jetojnë në varfëri dhe janë të varura nga ndihmat e organizatave ndërkombëtare”, thotë Gardner.
Dëbime me forcë ka pasur edhe në qytete të tjera kurde si Sirnak dhe Cizre. Amnesty International bën thirrje që popullsia të kthehet në lagjet dhe vendbanimet e saj të origjinës. Por qeveria turke nuk tregon se cilat janë planet e saj për lagjen Sur.

Artikulli paraprakA refuzoi shefi i CIA-s takimin me Tahirin?
Artikulli tjetërLiria e medias e rrezikuar