Amendamenti i PD në ndihmë të 180 mijë familjeve, tekste falas për nxënësit deri në klasën e 9-të

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike, ka depozituar në Parlament, amendamentin që parashikon tekstet shkollore falas për nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e nëntë.
“Shpenzimet për tekstet shkollore dhe ato ndihmëse të nxënësve në arsimin publik, nga klasa e parë deri në klasën e nëntë, mbulohen plotësisht nga buxheti i shtetit”, ky është propozimi i depozituar në Kuvend, nga Partia Demokratike, me 30 tetor.
Tekstet shkollore të paguara nga shteti, ka qenë një propozim i Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha prej kohësh. Qeveria vazhdimisht ka refuzuar ta marrë në konsideratë. Shumë vende të rajonit e kanë këtë model, si dhe një pjesë e madhe e vendeve të BE. Tekstet falas për nxënësit, do të ishin një ndihmesë për familljet e varfëra shqiptare, që kanë një prej shpenzimeve më të mëdha të vitit, blerjen e librave për fëmijët.
“Propozimi i bërë për ndryshimin në nenin 47 është me shumë rëndësi, pasi siguron mbulimin e të gjitha kostove nga ana e Buxhetit të Shtetit në lidhje me shpërndarjen e teksteve për të gjithë nxënësit në arsimin 9-vjeçar, në përputhje me nenin 2 pika 1/a dhe b/ të Ligjit 69/2012, që i takojnë nivelit me kod 1 dhe 2. Ky ndryshim do të mundësojë një produkt pozitiv në arsimin parauniversitar, duke i ardhur në ndihmë familjeve shqiptare në një moment shumë të vështirë ekonomik, që në të cilin ndodhet vendi. Vlen të theksojmë që kjo është një masë sociale, që synon lehtësimin e barrës financiare dhe krijimin e mundësive për rritjen e frekuentimit të shkollës nga fëmijët në moshë shkollore. Në kushtet e përhapjes së fenomenit të braktisjes shkollore, pamundësisë ekonomike, për shkak të varfërisë, dhënia e teksteve mësimore dhe atyre ndihmëse falas, do të ishte një masë që do të shërbente shumë në uljen e fenomenit të braktisjes shkollore si dhe në krijimin e një klime shumë më pozitive në lidhjen mes shkollës-nxënësit dhe komunitetit të prindërve”, thuhet në amendamentin e PD.

Amendamenti në ndihmë të 180 mijë familjeve

Mbulimi i kostove nga ana e Buxhetit të Shtetit të teksteve dhe mjeteve ndihmëse mësimore (fletore të modeluar për klasën e parë, fletore pune në lëndë të ndryshme, atlase etj), krijon mundësinë për të gjithë nxënësit të ndihen të barabartë si dhe një lehtësim për punën e mësuesit, pasi pajisja me mjete mësimore ndihmëse është kthyer në një makth për shkak të kostos më të lartë që ato kanë krahasuar me vetë tekstin shkollor.
Në vlerësimin e specialistëve dhe ekspertëve të arsimit, një nga shkaqet e rritjes së fenomenit të braktisjes shkollore, është edhe aspekti ekonomik, që do të thotë pamundësia e familjeve shqiptare për të mundësuar blerjen e librave shkollore.
Në vlerësimin e fundit të Bankës Botërore, rreth 180 mijë familje jetojnë në varfëri ekstreme me më pak se 3 USD në ditë, çka e bën një nevojë imediate miratimin e këtij ndryshimi në Ligjin 69/2012.
Dhënia e teksteve falas është një praktikë e zbatuar me sukses në vendet e rajonit tonë: Greqi, Maqedoni dhe Kosovë dhe ka krijuar prej vitesh një impakt pozitiv jo vetëm në aspektin mësimdhënës, por edhe në krijimin e një klime më bashkëvepruese në shkollë dhe në komunitetin e prindërve.

Mbulimi i kostove nga buxheti i shtetit

Mbulimi i kostove nga ana e Buxhetit të Shtetit të teksteve dhe mjeteve ndihmëse mësimore (fletore të modeluar për klasën e parë, fletore pune në lëndë të ndryshme, atlase etj) është në përputhje të plotë me Kushtetutën, e cila e përcakton të drejtën për arsimim një të drejtë kushtetuese të përcaktuar qartësisht në Nenin 57.
Neni 57
1. Kushdo ka të drejtën për arsimim.
2. Arsimi shkollor i detyrueshëm caktohet me ligj.
3. Arsimi i mesëm i përgjithshëm publik është i hapur për të gjithë.
4. Arsimi i mesëm profesional dhe i lartë mund të kushtëzohet vetëm nga kritere aftësie.
5. Arsimi i detyrueshëm, si dhe arsimi i mesëm i përgjithshëm në shkollat publike është falas.
6. Nxënësit dhe studentët mund të arsimohen edhe në shkolla jopublike të të gjitha niveleve, të cilat krijohen e funksionojnë në bazë të ligjit.
7. Autonomia e institucioneve të Arsimit të Lartë dhe liria akademike janë të garantuara me ligj.
Në ligjin aktual, në nenin 47 përcaktohet:
Neni 47
Tekstet shkollore
1. Tekstet për nxënësit janë alternative. Ato përzgjidhen nga mësuesit në bazë shkolle, në prani të prindërve, pas çertifikimit nga ministria. Përjashtimet nga ky rregull përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
2. Numri i alternativave të teksteve shkollore për lëndë dhe klasë nuk kufizohet.
3. Tekstet për nxënësit sigurohen nga subjektet botuese, përmes një procesi konkurrimi të barabartë dhe transparent, sipas procedurave të përcaktuara me udhëzim të ministrit.
4. Shpërndarja dhe shitja e teksteve shkollore bëhet nëpërmjet njësive tregtare të shitjes së librave ose në pika të tjera shitjeje pranë shkollave nga subjekte të licencuara, me çmime të vendosura nga botuesit e të vlerësuara nga ministria në procesin e çertifikimit të tekstit.
Në këtë nen propozohet të ndryshohet pika 4 dhe të formulohet në këtë mënyrë:
4. Shpenzimet për tekstet shkollore dhe ato ndihmëse të nxënësve në arsimin publik, nga klasa e parë deri në klasën e nëntë, mbulohen nga buxheti i shtetit.
Në kuadër të marrëveshjeve dy palëshe në fushën e arsimit, Ministria e Arsimit të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, bashkërendojnë punën dhe bashkë financojnë koston e teksteve shkollore për fëmijët shqiptarë nga 6-16 vjeç, të cilët marrin mësim në gjuhën shqipe në diasporë. Ministria nxjerr akte nënligjore për shpërndarjen e teksteve shkollore dhe ruajtjen e tyre, sipas dispozitave të nenit 47 të këtij ligji.
Me hyrjen në fuqi të këtij projektligji, efekti financiar në buxhetin e shtetit përllogaritet në shifrën 8 milionë euro në vit. Duke qenë se jemi në prag të hartimit të projektbuxhetit, janë mundësitë që qeveria të mund të vendosë në një zë të veçantë mbulimin e kostove për tekstet mësimore dhe ato ndihmëse si dhe shpërndarjen e tyre për të gjithë nxënësit që ndjekin arsimin e detyruar nga klasa 1-9 në Shqipëri si dhe për fëmijët shqiptarë në diasporë. Vlen të theksohet se, kostoja financiare për hartimin dhe botimin e teksteve për fëmijët në diasporë, është një shifër që nuk i kalon 1-1.5 milion euro, pasi ata mësojnë vetëm gjuhën dhe disa njohuri në fushën e historisë dhe kulturës shqiptare.

Artikulli paraprakSi militarizohen Prefekturat, ish-ushtarakët bëhen prefektë
Artikulli tjetërBasha: Lidhjet e Ramës me krimin në mijëra faqe të drejtësisë italiane