Ambasadori i Gjermanisë flet për kushtet që duhet të plotësojë Shqipëria para hapjes së negociatave

Ambasadori gjerman në Tiranë, Peter Zingraf ka folur në lidhje me 9 kushtet e vendosura nga Gjermania, para se Shqipërisë t’i hapen negociatat.

‘Në të vërtetë Bundestagu gjerman ka formuluar disa kushte që duhet të plotësohen.

Në hapin e parë, përpara konferencës së parë e pastaj duhet të përmbushen dhe kushte të tjera përpara konferencës së dytë’, ka nënvizuar Zingraf në fjalën e tij, gjatë konferencës së hapjes së ‘Tetorit Gjerman’.

Gjatë fjalës së tij, ambasadori gjerman e ka vënë theksin tek zbatimi i mëtejshëm i reformave të nisura.

‘Reformat duhet të shkojnë dhe të depërtojnë më thellë në politikat kulturore dhe sociale.

Mund të them që fjala qendrorë e gjithë këtyre reformave të ndërmarra në integrimin e Shqipërisë në BE është termi shoqëri civile se pa shoqërinë civile nuk mund të ketë Integrim’, është shprehur Zingraf.

Më tej ambasadori ka komentuar dhe vendimin e Bundestagut për të çelur me kushte negociatat me Shqipërinë, duke thënë se ka pasur një debat të madh, dhe kushtet e lëna për vendin tonë janë të qarta dhe duhen realizuar.

‘Bundestagu dha një po për hapjen e negociatave dhe qeveria federale do shkojë në Bruksel me këtë alternativë.

Bundestagu luan një rol të fuqishëm dhe qeverisë federale i nevojitet ky miratim i Bundestagut. Mund të themi që debati në Bundestag ishte një debat i gjerë dhe i angazhuar. Dje një gazetar gjerman tha se kjo është një shenjë një dëshmi që Shqipëria do të pranohet në BE.

Në të vërtetë Bundestagu gjerman ka formuluar disa kushte që duhet të plotësohen. Në hapin e parë, përpara konferencës së parë e pastaj duhet të përmbushen dhe kushte të tjera përpara konferencës së dytë.

Tani këtë përshkallëzimin apo fazat që ishin të parashikuara në rezoluta nuk do doja ti komentoja me hollësi, kushtet ishin artikuluar prej kohësh qe përpara këtij vendimi’, ka deklaruar më tej ambasadori gjerman.

‘Unë jam i bindur tërësisht që zgjidhja për këto konflikte duhet të vije vetë nga partitë politike. Nuk e shikoj Gjermaninë si negociator, kemi folur me partitë për Reformën Zgjedhore dhe kemi dhënë mbështetjen tonë.

Ka bashkëpunuar dhe një ekspert gjerman i cili ka vendosur në tavolinë një draft i cili mund të shikohet, por pjesëmarrja e BE dhe partive në reformën zgjedhore ishte një sinjal që mund të ketë përfshirje politike’, ka përfunduar ambasadori gjerman.

 

Artikulli paraprakBasha letër bankave: “Mos financoni PPP-të që pastrojnë para të drogës dhe korrupsionit! Do t’i anullojmë!
Artikulli tjetërO doktorantë! Jeni të mbaruar!