Ambasadori i BE në prani të Ramës: Brukseli pret dënimin e zyrtarëve të lartë, korrupsioni është kudo

Ambasadori i BE-së në Tiranë, Soreca, ka thënë sot se korrupsioni në Shqipëri vijon të mbetet i shtrirë gjithandej dhe është shqetësim serioz për vendet e BE-së.

Deklaratat e forta të zyrtarit që përfaqëson BE-në në Tiranë u bënë në konferencën e nivelit të lartë kundër korrupsionit ku merr pjesë edhe kryeministri Rama.

Korrupsioni është vetëm njëri nga më të lakuarit, por kritika ka pasur nga raportet europiane edhe lidhur me krimin e organizuar, trafikun e drogës, mungesën e Gjykatës Kushtetuese e asaj të Lartë, reformën zgjedhore etj.

Po çfarë deklaroi Soreca gjatë takimit të prani të Ramës

“Korrupsioni vazhdon të mbetet i shtrirë gjithandej dhe të jetë shqetësim serioz për shtetet anëtare e BE prandaj kjo luftë kërkon përpjekje të mëtejshme të strukturuara dhe dënime të formës së prerë për zyrtarë të nivelit të lartë që kanë qenë tejet të ulëta dhe ne e kemi thënë në raportet e mëparshme.” – tha ai.

Më tej ambasadori i BE-së shtoi se Shqipëria ka ende shumë punë për të bërë në luftën kundër korrupsionit dhe integrimin në BE-së. Ambasadori nënvizoi se drejtësia duhet të japë dënime për zyrtarë të nivelit të lartë duke theksuar se BE-ja pritshmëri të madhe nga SPAK-u.

“Në raportin vjetor të Komisionit është shprehur që Shqipëria ka një nivel të caktuar përgatitjeje për të qenë pjesë e BE-së. Kjo është gjuha jonë teknike për të thënë se Shqipëria ka ende mjaft punë për të bërë. Rezultatet e vetingut janë kyçe në luftën kundër korrupsionit si dhe për të marrë sërish besimin e publikut në gjyqësor dhe organet e zbatimit të ligjit. Duhen dënimet e zyrtarëve të nivelit të lartë që qytetarët të kuptojnë se askush nuk është mbi ligjin. Prandaj kemi një pritshmëri të lartë nga SPAK për të rritur kapacitetet e hetimit dhe ndjekjes penale dhe për të ndjekur gjithçka deri në dënimin e formës së prerë.” – shtoi ambasadori.

Artikulli paraprakReagimi i fortë i Yuri Kim ndaj medias së kontrolluar nga Rama: Ja si mashtrojnë…
Artikulli tjetërE emëruara e Trump për Gjykatën e Lartë, rol deçiziv për vendimin e votimit me postë në zgjedhje