Përse Rama largoi FMN para zgjedhjeve?

Ministri i Financave, së bashku me përfaqësuesen e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, prezantuan përfundimet e rishikimit të fundit të programit. Përfaqësuesja e Fondit, Anita Tuladhar, krahas përfundimeve vuri theksin dhe tek objektivat që duhet pasur kujdes në të ardhmen. Ajo tha se zbatimi i ligjeve për falimentin dhe për përmbaruesin privat do të jetë i rëndësishëm për përmirësimin e kredive të këqija.
Programi me FMN-në ka arritur të gjithë objektivat e tij për të korrektuar balancat makroekonomike. Ky program, në bashkëpunim me Fondin Monetar ka qenë mjaft i rëndësishëm për të arritur konsolidimin e rritjes ekonomike, ka thënë ministri në prezantimin e përfundimeve të rishikimit të programit.
Në fjalën e tij gjatë konferencës për shtyp, ministri i Ekonomisë dhe Financave ka listuar arritjet kryesore të programit.
“Gjatë 2016-ës ka vijuar konsolidimi i qëndrueshëm fiskal dhe gjatë 2017-ën do të synojmë një balancë primare +0.7% të PBB-së.
Borxhi ka filluar trajektoren e vet rënëse, ulja e tij është e panegociueshme.
Vetëm në dy vitet e fundit borxhi publik do të reduktohet me rreth 4% të PBB-së. Menaxhimi i financave publike dhe reforma në administrimin fiskal. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, ka vijuar rritja e punësimit dhe rënia e papunësisë në vitin që lamë pas.
Tjetër objektiv i arritur i programit ka qenë shlyerja në kohë rekord i të gjitha detyrimeve të prapambetura”, ka thënë Ahmetaj.
Janë realizuar reformat e thella në sektorët kyç, të cilat kanë dhënë rezultate të prekshme në terrenin ekonomik.
Skema aktuale e pensioneve ka bërë që deficit i pensioneve të ulet në nivelin 1.8% të PBB-së nga 2.2% të PBB-së.
Në sektorin e energjisë kemi pasur arritje, sot humbjet në rrjet janë ulur në 28%. Reforma në energji ka bërë që financimi nga buxheti i shtetit të ulet. Për herë të parë pas gjashtë viteve Shqipëria është kthyer në eksportues neto të energjisë, ka nënvizuar ministri.
Parimi i vetëkorrigjimit ka shënuar një standard të ri në klimën e të bërit biznes.
Më 2017 do të vazhdojmë me reformat e suksesshme.
Në fjalën e saj, përfaqësuesja e Fondit, Anita Tuladhar, krahas përfundimeve vuri theksin dhe tek objektivat që duhet pasur kujdes në të ardhmen.
“Në këtë shqyrtim të fundit kemi diskutuar dhe për prioritetet pas programit. Pavarësisht disa vonesave, janë përmbushur disa prej objektivave dhe janë zbatuar reformat e synuara. Objektivat janë përmbushur, ky program ka ndihmuar në rrugën e rimëkëmbjes ekonomike. Është e rëndësishme që me mbylljen e programit, vazhdimi i  reformave do të jetë kritik”, ka shtuar Tuladhar.
Ekipi i FMN-ës parashikon një fuqizim të ekonomisë. Rritja parashikohet të përshpejtohet në periudhë afatmesme. Ne presimi që inflacioni të rritet, derisa të arrijë normën e synuar 3% më 2018-n. Buxheti i 2016-ës ka arritur një balancë pozitive, problem ka qenë realizimi i të ardhurave, e cila ka ardhur në përgjithësi, por realizimi i objektivit të shpenzimeve është përmbushur.
Borxhi publik vijon të mbetet i lartë, por ka filluar që të bjerë. Ndërsa vazhdimi i politikës akomoduese i Bankës së Shqipërisë është në përputhje me objektivat.
“Ligji për falimentin dhe për përmbaruesin privat do të jetë i rëndësishëm për përmirësimin e kredive të këqija”, ka thënë përfaqësuesja e Fondit Monetar.
Për sa i takon së ardhmes, përfaqësuesja e FMN-së vuri theksin në tri objektiva kryesore.
Së pari, duhet të vazhdojë zgjerimi i të ardhurave.
Së dyti, të ulet niveli i kredive të këqija.
Së treti, reformat strukturore duhet të përfundohen.
Në fjalën e tij, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko tha se politika monetare do të vazhdojë të jetë stimuluese.
“Inflacioni ka hyrë përsëri në trend rritës kohët e fundit”, ka shtuar guvernatori.
Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të ndjekë një politikë të kujdesshme, për të vazhduar me stimulimin e ekonomisë. Janë reduktuar kreditë me probleme dhe borxhi publik në trajektore rënëse.
Treguesit e fundit makroekonomikë dhe financiarë kanë qenë në përputhje me projeksionet tona. Presim përmirësim më 2017-ën. Perspektiva mbetet pozitive.

Artikulli paraprakQeveria nuk paguan kontratat e rrugëve, 24 milionë euro borxh
Artikulli tjetërFermeri shqiptar ky humbës i madh