Alegri, te Juventusi deri në vitin 2018

Rinovimi i kontratës së Massimiliano Alegrit me Juventusin është më pranë se kurrë. Sipas “Tutto Sport”, zyrtarizimi i marrëveshjes së re do të vijë javën e ardhshme. Në këtë mënyrë trajneri nga Livorno do të ketë mundësi të vijojë me projektin e nisur në verë të 2014, me kontratë të re që do të jetë e vlefshme deri në vitin 2018, që do të thotë se kontrata aktuale është shtyrë me një vit.
Alegri, pas largimit të Contes gjeti një skuadër me mentalitet fitues, por merita e tij është se jo vetëm e fitoi titullin kampion, por arriti deri në finale të Championsit, ku u mposht nga Barcelona.
Në sezonin e dytë Alegri hasi më shumë vështirësi, pasi i është dashur të rindërtojë skuadrën pas disa largimeve të rëndësishme. Falë mbështetjes së skuadrës ishte në gjendje të ngjitej në vendin e parë pas një starti të dobët të Serisë A.
Alegri nuk u josh nga propozimet për të marrë drejtimin e kombëtares italiane, por edhe të skuadrave angleze dhe spanjolle, të cilat i ka refuzuar të gjitha për të qëndruar te Juventusi.

Artikulli paraprakRooney rikthehet në fushë pas dy muajsh
Artikulli tjetërPresidentja e Brazilit në gjyq, akuzohet se manipuloi shifrat e buxhetit