Albian Ajeti shkëlqen në Zvicër

Dy gola në tri ndeshje të luajtura. Albian Ajeti po kalon një moment të artë në Superligën zvicerane. Sulmuesi 20-vjeçar realizoi golin e fitores në sfidën e vështirë ndaj Luganos, duke i dhuruar tre pikë të arta skuadrës së St. Gallen. Në minutën e 83-të të takimit, Ajeti u shkëput në thellësi të sulmit duke e ndalur topin në rrjetë. Një realizim me shumë peshë për talentin shqiptar që konfirmon momentin pozitiv, pasi edhe 10 ditë më parë ai arriti të realizonte një prej dy golave të suksesit ndaj Sionit.
Gjatë sfidës së fundit, i pranishëm në stadium ishte edhe trajneri i kombëtares së Zvicrës, Vladimir Petkoviç dhe sipas gazetës “Blick”, trajneri me origjinë boshnjake është i interesuar ta afrojë talentin me skuadrën helvete. Në intervistën dhënë pas ndeshjes, Ajeti u përgjigj me diplomaci duke theksuar se ai mendon të bëjë sa më mirë punën në fushën e lojës dhe nuk kishte asnjë ide për praninë e Petkoviç në stadiumin e Luganos. Aktualisht, Ajeti është një nga lojtarët më të kërkuar në merkaton zvicerane, ndërsa interes për të ka shfaqur edhe SPAL në Itali që synon ta transferojë brenda merkatos verore.

Artikulli paraprakSjellja e re politike, qasje në kontekstin shqiptar
Artikulli tjetërRamadani shkëlqen te Velje, grumbullohet nga U-21