Albana Vokshi: Ligji për Arsimin ka dështuar

Albana Vokshi, deputetja demokrate deklaroi dje në Kuvend se Ligji për Arsimin e Lartë ka dështuar. Deputetja Vokshi, njëkohësisht edhe kryetare e Komisionit parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit rrëfeu statistikat që ministrja e Arsimit u ka dërguar lidhur me aktet nënligjore të miratuara dhe të pamiratuara. ‘Ka treguar edhe listën e akteve nënligjore, 27 që duhet të miratoheshin, numri i të miratuarave 18. Pra, kemi 9 akte të pamiratuara. Udhëzime të ministrit janë miratuar vetëm 6, tha Vokshi. Vokshi u shpreh se, ka gati 3 vite që një pjesë e mirë e këtij ligji nuk zbatohet, duke e quajtur një ligj klientelist. “I miratuar në protestë nga stafi akademik sot po tregon që ka dështuar! Dhe kjo pranohet nga vetë ministrja. Atëherë kush është përgjegjëse?! Është vetëm një: ministrja Nikolla që drejton Ministrinë e Arsimit!’, theksoi deputetja. Sipas Vokshit, Rama është i nervozuar, sepse është i ndërgjegjshëm që fundi do t’i vijë prej ligjit. ‘Po ç’ka kryeministri atëherë që është i nervozuar?! Pse sulmon, fyen, përçmon mësuesit, pedagogët, akademikët, artistët?! Pse kërcënon me bukën e gojës apo me ‘koka të prera’ të vëna si trofe në tepsinë e pushtetit të tij?! Sepse Edi Rama e di që fundi do t’i vijë pikërisht prej ligjit! Dhe nëse hapen negociatat, të cilat urojmë të hapen sa më parë, Brukseli do të shtrëngojë darët e llogaridhënies në Tiranë! Nuk ka më shanse diplomatike të livadhisë në ekrane e të mbajë më shumë se tre vite fshehur kanabizimin e Shqipërisë, nuk mund të mbajë më të fshehur as ministrat e tij trafikantë apo të fusë në Parlament tutorë vajzash apo trafikantë fëmijësh, deklaroi nga foltorja deputetja demokrate.

Artikulli paraprakGabriel në Kosovë: Serbia duhet ta njohë Kosovën
Artikulli tjetërLSI: Fund teatrit të Ramës për çarqe minjsh