Alarmi, ndotja e ajrit po shton astmatikët

Numri i personave që vuajnë nga astma është 5 ndër 100 shqiptarë, dhe kjo sëmundje që lidhet me rrugët e frymëmarrjes duket se është rritur me 50 % vetëm në dhjetë vitet e fundit.
Sipas mjekëve, fëmijët e vegjël janë më të prekurit, të cilët i shfaqin simptomat e para që në moshë foshnjore, por që shpesh neglizhohen nga nëna.
“Shenjat e astmës janë tipike, si marrja e frymës kolla, fishkëllima dhe shtrëngimi në gjoks. Janë më të shpeshta natën. Duhen të diferencohen nga një ftohje e thjeshtë”, thotë Mehmet Hoxha, mjek alergolog, i cili shton së thënuri se vetëm në moshën tre-vjeçare mund të përcaktohet diagnoza e saktë për një fëmijë që vuan nga astma.
Rritja e numrit të prekurve, sipas mjekëve, lidhet me një sërë faktorësh, ndër të cilat renditet edhe ndotja e ajrit.
“E para është ndryshimi i stilit të jetesës, largimi nga natyra na ka ulur infeksionet, por ka rritur alergjitë. E dyta ndryshimi në stilin e të ushqyerit. E treta është ndotja atmosferike”, thotë mjeku Hoxha për Top Channel.
Në Ditën Botërore Kundër Astmës, mjekët alergologë bëjnë thirrje për diagnostikim të hershëm, pasi kjo sëmundje nuk shërohet, por mund të arrihet të mbahet nën kontroll.
Astma cilësohet si sëmundje me kosto të lartë si financiare ashtu edhe sociale.

Artikulli paraprakGjykata liron kryebashkiakun e Lezhës Fran Frrokaj, vetëm detyrim paraqitje
Artikulli tjetërJo vetëm oqeanet, ndotja nga plastika ka prekur edhe ajrin