Aksion ligjor kundër katalanasit

Gerard Pique sulmon Realin e Madridit. Pak ditë më parë, ish-sulmuesi i “Los Blancos”, Raul Gonzales Blanco, deklaroi se ai një ditë do të kthehej te ish-skuadra e tij, por shtoi se kurrë nuk i dihet se ç’ndodh në të ardhmen. Nëpërmjet kësaj deklarate, Raul lë të hapur mundësinë se një ditë ai mund të bëhet pjesë e Barcelonës. Në lidhje me këto fjalë, ka ardhur dhe kundërpërgjigjja e mbrojtësit katalanas Gerard Pique, i cili është i drejtpërdrejtë, duke u shprehur se ai kurrë në jetën e tij nuk do të punonte për Realin e Madridit. 30-vjeçari shtoi në arsyetimin e tij, se nuk i pëlqejnë aspak vlerat që transmeton klubi mbretëror.
Ai u shpreh se i vlerëson futbollistët e Realit, pasi disa prej tyre janë edhe miq të tij, por kurrë nuk do të bëhej pjesë e tyre. Gjatë analizës që ai bën, fut në valle dhe Matia Silva Lapuerta, ish-drejtues i klubit “Los Blancos” sot në postin e Avokatit të Popullit, i cili sipas Pique në rastin e akuzës për evazion fiskal për sulmuesit Messi, Neymar dhe Cristiano Ronaldo, është treguar i njëanshëm në gjykimin e tij, duke u treguar më i ashpër përballë dy shokëve të skuadrës së Pique dhe më tolerant ndaj portugezit. Sipas mbrojtësit, avokati në takimet e klubit merenges qëndron në tribunë përkrah presidentit Florentino Perez dhe ka miqësi të ngushtë me të. E gjithë kjo deklaratë do t’i sjellë probleme katalanasit, pasi siç bëhet me dije nga mediat spanjolle, ndaj tij po përgatitet një aksion ligjor.

Artikulli paraprakBiznesi vendas i ndikuar nga mungesa e liberalizimit të vizave
Artikulli tjetërAsensio mbetet te Reali i Madridit