Aksion i fuqishëm opozitar deri në përmbysjen e qeverisë

“Aksioni politik i opozitës, i kryesuar nga PD dhe që pasohet nga LSI do të vazhdojë deri në përmbysjen e qeverisë”, kështu tha deputeti i PD, Flamur Noka, në një intervistë televizive. Sipas Nokës: “Të dhënat e deritanishme tregojnë se ky pushtet nuk mund të qëndrojë më në këmbë, sepse ky pushtet është me votat e asaj bande dhe të dhjetërave banda të tjera, ky pushtet është me paratë që ka marrë nga ajo bandë, pra me para droge. Ky nuk është pushtet që ka ardhur nga vota e qytetarëve, prandaj nuk mund të rrijë. Ne do të sinkronizojmë aksionin opozitar me të gjithë faktorët opozitarë dhe me të gjithë aktorët e shoqërisë shqiptare për të nxjerrë Shqipërinë nga kthetrat e krimit dhe për ta vendosur Shqipërinë pranë Europës. PD do të ndërmarrë aksionin e saj politik në bashkëpunim me të gjithë forcat e tjera. LSI është forca kryesore pas nesh që është në opozitë, sigurisht edhe me faktorë të tjerë për të përmbysur një qeveri të bandave. Në lidhje me përgjimet e Moisi Habiljat, Noka duke hedhur poshtë pretendimet e Tahirit tha se makinë nuk është shitur, por është përdorur për trafik droge. “Ajo makinë nuk është shitur, ajo makinë ka qenë imunitetit diplomatik për ushtarët e bandës për të bërë trafik droge. Ju është dhënë nga Saimir Tahiri kushërinjve ta përdorin për trafik se ishte imunitetet diplomatik. Ajo makinë është bërë me letra është shitur kur doli skandali që një ish-oficer policie, Zagani e përmendi i pari dhe u bë zhurmë. Në atë kohë për të larë duart, ia shiti kushërinjve. Por, ajo makinë ishte e mbajtur për 2 vjet për trafik. Përgjimet e Prokurorisë së Katanias kanë zbardhur të zezën në të bardhë që makina AA 003 GB është përdorur për trafik droge nga Shqipëria në Itali”, tha Noka. Noka tha se, deklaratat e Ramës për distancim bëhen për të shpëtuar veten: “Çdo bandit kur i ngushtohet laku, ia hedh lakun shokëve përpara, sepse kërkon të shpëtoje veten. Pra, kjo është me ja hedh lakun Saje Qorrit, sigurisht dhe për të larë duart. Por nuk mund t’i lajë duart, sepse është i zhytur”. Po dje, edhe deputetja e PD-së, Albana Vokshi, ka kërkuar dorëheqjen e deputetit Saimir Tahiri dhe kryeministrit Edi Rama pas publikimit të skandalit ‘Habilaj’. Duke folur në ‘Këndin e Ekselencës’, në News 24, Vokshi tha se Tahiri do i bënte nder vetes nëse do jepte dorëheqjen, ndërsa cilësoi Ramën si përgjegjësin e parë të mbushjes së vendit me kanabis. “Është një minë që po plas. Ky është vetëm fillimi. Pasazhi që tregon se 5 milionë euro do i shkojnë Tahirit në një muaj. Imagjinoni sa muaj ka viti dhe sa vite kanë kaluar nga përgjimi. Shpresoj, që Saimir Tahiri të jap dorëheqjen, të heq imunitetin dhe të hetohet. Do i bënte nder vetes. Edhe kryeministri duhet të dorëhiqet, sepse nuk mendoj se pa miratimin e Edi Ramës, Saimir Tahiri dhe ministrat e tjerë do të kishin guximin të mbushnin vendin me kanabis”, tha Vokshi. Deputetja demokrate vlerësoi lidershipin e kryetarit Lulzim Basha në drejtimin e Partisë Demokratike, që sipas saj po vijon të japë rezultate të larta dhe kjo konfirmohet nga denoncimi prej vitesh i skandalit Habilaj-Tahiri.

Artikulli paraprakBorchardt kritikon qeverinë: Nuk i ndiqni denoncimet për shfrytëzimin e fëmijëve
Artikulli tjetërKryemadhi: Bashkë kundër Ramës të rikthejmë besimin tek shqiptarët