Aksidenti me tre viktima në Velipojë, përmendet gruaja, vajza akoma në koma

Me tre viktima dhe një 10-vjeçare në vdekje klinike, të gjithë nga një familje, ky ishte aksidenti më tragjik në Shkodër vitet e fundit. Ekspertët bënë matje edhe mëngjesin e së hënës para se të largonin mjetet nga rruga që të çon në plazhin e Velipojës. Paraprakisht dyshimet e policisë janë se shkak për aksidentin u bë, shpejtësia e lartë, një parakalim i gabuar dhe errësira në rrugë.
Dëshmitari i parë i aksidentit ka qenë banori Gjon Gjekaj, përballë shtëpisë së të cilit ndodhi ngjarja e rëndë. Ai tregon momentet e para të përplasjes fatale.
Gjon Gjekaj: Vetëm kur e kemi parë, ka kërcitur dhe kemi dalë jashtë. Rreth orës 18:00. Njoftuan ambulancën, por ambulanca ka vonuar rreth 15 minuta me ardhë. Rruga nuk ka ndriçim.
Në Urgjencën e Shkodrës mjekët dhe anëtarët e familjes Preka që humbi tre persona janë të traumatizuar. Vajza 10- vjeçare e familjes ndodhet në koma dhe në rrezik për jetën.
Dhurata Uruçi, n/drejtoreshë e spitalit: Situata e saj është e rëndë, nuk po reagon fare karshi mjekimit. Gjendja është e rëndë.

37-vjeçarja që humbi bashkëshortin dhe dy fëmijët, është në gjendje të rënduar, por jashtë rrezikut për jetën sikurse edhe Ndrekë Gjergji e Sokol Mullaj që udhëtonin në mjetin që u përplasën.
Dhurata Uruçi, n/drejtoreshë e spitalit: Rasti më i dhimbshëm që ka kaluar nëpërmjet Urgjencës së Spitalit të Shkodrës.
Familja Preka që humbi kryefamiljarin Edmond Preka dhe dy fëmijër udhëtonte në një mjet tip “Alfa Romeo” që u përplas me një mjet tip “Fuoristradë” që sipas Policisë së Shkodrës drejtohej nga Ndreke Gjergji bashkë me të cilin udhëtontye edhe Sokol Mullaj.
Aksidenti me përmasa tragjike ndodhi pasditen e të dielës në rrugën Shkodër-Velipojë. Nga përplasja kokë më kokë e dy makinave, ka humbur jetën, Edmond Preka 40 vjeç dhe dy fëmijët e tij të mitur, vajza 5 vjeçe dhe djali 9 muajsh. Në gjendje kome është vajza tjetër 10 vjeçe dhe po në gjendje të rëndë, bashkëshortja e tij, Evisa Preka, 37 vjeçe. Familja Perka udhëtonte me një “Alfa Romeo” kur u përplas me një “Fuoristradë” ku udhëtonin dy djem që janë jashtë rrezikut për jetën.

 

Artikulli paraprakGjendet i vrarë në makinë një 22-vjeçar në Krujë
Artikulli tjetërToma mohon akuzat: Faktet të rreme