Akademiku Mynyr Koni: Nuk tërhiqem nga gara

Akademiku Mynyr Koni nuk do të tërhiqet nga gara për rektor të Universitetit të Tiranës. Pas denoncimit të ish-Kryeministrit Sali Berisha se ai ka paraqitur dorëheqjen nën kërcënim, Koni në një deklaratë të shkurtër në Facebook shkruan se do të vijojë garën për postin e rektorit. “Unë, kandidati Mynyr Koni, deklaroj që vazhdoj të jem në garë për postin e rektorit të Universitetit të Tiranës. I kërkoj studentëve dhe stafit akademik që së bashku ta çojmë përpara këtë proces zgjedhor me urtësinë dhe zgjuarsinë që karakterizon botën tonë akademike”. Në garën për rektor të UT, Koni ka përballë kandidaten Klodeta Dibra. Zgjedhjet do të mbahen më 20 prill. Ka mjaftuar ky postim i shkurtër i akademikut Koni, që menjëherë studentë e pedagogë t’i shprehin atij në këtë postim urimet për suksese, si dhe vlerësimet për personalitetin e tij në fushën profesionale. “Prof. Koni, një vlerë modernizimi e zhvillimi i Universitetit të Tiranës e treguar me vepra dhe që duhet të merret model. Marr shkas nga ky status sepse besoj se dezinformimi e aq më keq dhe krimi nëse mafiozët kërcënojnë, si model për të mundur kundërshtarin nuk është përqasja e garës dhe e konkurrencës me platformë, mision e vizion për ndryshim cilësor e standard. Prof. Koni është jo vetëm etalon në mësimdhënie e drejtim, por është luftarak dhe fiton gjithnjë”, thuhet në një nga komentet e shkruara pas postimit të Profesor Konit. Komentuesit i shprehin atij mbështetjen, i bëjnë thirrje të vijojë garën, si dhe i urojnë fitoren si rektor i Universitetit të Tiranës. “Dr. Koni, ju duhet të vazhdoni misionin tuaj fisnik dhe historik drejt kurorëzimit si rektor i Universitetit të Tiranës, sigurisht brenda rregullave tuaja demokratike dhe akademike. Mos u tutni para asnjë lloj presioni nga kushdo qoftë ai, frikacakët, dështakët bëjnë presione dhe jo njerëzit dinjitozë. Sidoqoftë ju kini mbështetjen e padiskutueshme të njerëzve të qytetëruar, drejt rrugës së nisur. Respekte nga unë Mit’hat Havari”, thuhet në një tjetër koment. “Suksese! Kur nuk konkurrojnë dot me vlera, shajnë dhe shpifin paturpësisht, kur shikojnë humbje, përdorin presionin! Besojmë në fitoren tuaj Prof. Dr. Mynyr Koni!”. “Suksese u gëzuam shumë që s’u tërhoqe, të urojmë fitore, ti e meriton”. “I dashur koleg, përshëndes qëndrimin tënd dinjitoz dhe të vendosur. Të uroj suksese në rrugën e nisur!”, thuhet në komentet e studentëve, si dhe kolegëve të akademikut, Mynyr Koni.

Kush është Mynyr Koni

Prof. Dr. Mynyr Koni ka lindur më 24.01.1964. Ai është diplomuar në vitin 1988 në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës. Në vitet 1995-1997, ka punuar si punonjës shkencor në Departamentin e Gjenetikës së Institutit të Kërkimeve Biologjike në Akademinë e Shkencave dhe në vitin 1997 emërohet në pozicionin e drejtorit të këtij instituti. Nga viti 1999 Prof. Dr. Mynyr Koni është pedagog në Departamentin e Biologjisë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, UT ku përgjatë këtyre viteve ka qenë edhe në poste të ndryshme drejtuese në nivel fakulteti dhe në nivel universiteti ndër të cilat mund të përmendim pozicionet si: (2003-2008) drejtor i Drejtorisë së Kurrikulave në Universitetin e Tiranës; (2008-2012) përgjegjës i Departamentit të Biologjisë, FSHN; (2012-2016) dekan i Fakultetit të Shkencave të Natyrës. Prof. Dr. Mynyr Koni ka qenë dhe vazhdon të jetë anëtar i disa këshillave si: anëtar i Senatit Akademik të UT-së, anëtar i Këshillit të Fakultetit të Shkencave të Natyrës; anëtar i Këshillit Drejtues të Akademisë së Shkencave; anëtar i Këshillit Shkencor të Institutit të Kërkimeve Biologjike. Në bibliografinë e punimeve të tij radhiten artikuj të shumtë shkencorë dhe pjesëmarrje në konferenca të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare. Prof. Dr. Mynyr Koni është njohës i mirë i gjuhës angleze, franceze dhe italiane. Ai mban titullin “Honoris Causa” nga Universiteti Shtetëror i Tetovës. Dy ditë më parë u mësua se Mynyr Koni ishte tërhequr nga gara për rektoratin për shkak të presioneve, por pas denoncimit të djeshëm të bërë nga ish-Kryeministri Sali Berisha, Koni me anë të një deklarate është shprehur se vazhdon të jetë në garë.

Përballë Konit, kandidatja e Ramës, Klodeta Dibra

Klodeta Dibra është rivalja e akademikut Koni për postin e rektoratit të Tiranës, i cili është kërcënuar me jetë. Klodeta Dibra jep mësim tek Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, ka 18 vite punë në këtë institucion. Ajo është anëtare e Këshillit Bashkiak të Tiranës si përfaqësuese e Partisë Socialiste, dhe duket se ka qenë e preferuara e Ramës pasi ka qenë e para në listën e Partisë Socialiste për anëtarët e Këshillit Bashkiak. Në një intervistë të dhënë për gazetën “Shekulli” më 7 maj 2015 Klodeta Dibra është shprehur se “Edi Rama ma plotësoi dëshirën për të qenë në Këshillin Bashkiak”. Klodeta Dibra ka denoncuar drejtuesit e Fakultetit të Shkencave se kanë penguar fushatën e saj për rektore të Universitetit të Tiranës. Ajo tha se janë hequr posterat nga fakulteti, ndërsa nuk janë lejuar studentë dhe pedagogë të ishin prezentë në sallën ku ajo do të prezantonte platformën e saj. Dje, pas denoncimit publik të ish-Kryeministrit Berisha për kërcënimin me jetën e familjes së akademikut Koni, kandidatja e Ramës për rektore, Klodeta Dibra, ka denoncuar publikisht pengimin e fushatës së saj në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Dibra tha se janë hequr posterat, ndërsa nuk janë lejuar studentë dhe pedagogë të ishin prezentë në sallën ku ajo do të prezantonte platformën e saj. “Të tundësh kontratën e punës sepse kështu ka ndodhur në këtë fakultet, duke dhunuar autonominë që ka pedagogu dhe ta trajtosh atë si leckë, për mua është një kërcënim i rëndë dhe dhunim i demokracisë në Republikën e Shqipërisë. Janë hequr të gjithë posterat e tjerë dhe sot gjej shumë pak kolegë, pjesa më e madhe është trysnuar sepse janë boshatisur auditoret. Ky fakultet ka 7 mijë studentë dhe mësimi zhvillohet deri në orët e vona të pasdites. Nëse do të hynit sot nëpër auditore nuk ka studentë, janë përcjellë thjesht dhe vetëm për të dështuar takimi i kandidates për rektore, ndërkohë që është e drejta ime për të takuar studentët dhe për t’u përcjellë atyre alternativën time”, shkruan Dibra. Fakulteti i Shkencave të Natyrës ishte zgjedhja e radhës për fushatën e Dibrës, kur kanë mbetur vetëm pak ditë nga zgjedhjet për rektor në datën 20 prill.

Fakulteti i Shkencave të Natyrës: Nuk kemi për detyrë t’i mbushim sallat znj. Dibra

Fakulteti i Shkencave të Natyrës ka reaguar ndaj akuzave të kandidates për rektore në Universitetin e Tiranës, Klodeta Dibra, se po pengohet për të bërë fushatë. Në një deklaratë për mediat, kancelari i këtij fakulteti, Besnik Goxhaj, thotë se në përputhje me rregulloren znj. Dibra i janë miratuar oraret dhe sallat për takim sipas kërkesës së saj. “Administrata e fakultetit nuk ka për detyrë t’i mbushë sallat znj. Dibra, por është detyrë e stafit të saj elektoral, që mesa duket edhe atë e paska të paaftë”, thekson kancelari në deklaratë. Goxhaj shton më tej se në dispozicion të znj. Dibra nga ana e FSHN kanë qenë 2 specialistë të Degës së Administrimit dhe Shërbimeve, 2 specialistë nga Dega e IT, 2 punonjëse sanitare dhe një roje. Por sipas tij, Dibra refuzoi të përdorë foninë e vendosur enkas për atë në sallën 410B, ndoshta sepse ata rreth e rrotull saj nuk ishin më larg se qëndrimi në një tavolinë kafeje. Sa për posterat që kandidatja Dibra thotë se i janë hequr, Goxhaj deklaron se ato u vendosën që ditën e djeshme në të gjitha stendat e departamenteve, në po ato vende ku janë vendosur edhe për kandidatin tjetër.

Arben Shahini

Artikulli paraprakBerisha paralajmëron Edvin Shullazin: Mos luaj me kokë!
Artikulli tjetërRusisë po i shterojnë paratë