Agolli: Tërheqjen nuk e kam menduar

Lënia jashtë e kapitenit të kombëtares shqiptare Ansi Agolli nga trajneri Christian Panucci për miqësoren ndaj Turqisë bëri jo pak bujë në media. Për të sqaruar situatën ka menduar vetë mbrojtësi i Qarabagut dhe kapiteni i kuqezinjve, i cili i ftuar në emisionin “Zona Gol” në Supersport ka shuar çdo polemikë.
“Panucci më telefonoi dhe më shprehu besimin e tij. Për të unë vazhdoj të jem pjesë shumë e rëndësishme e kombëtares. Trajneri ka një projekt afatgjatë te Shqipëria dhe kërkon të provojë sa më shumë lojtarë, kjo është arsyeja kryesore që unë nuk jam pjesë e këtij grumbullimi, pasi bëhet fjalë thjeshtë për një ndeshje miqësore. Tërheqja ime nga kombëtarja? Këtë nuk mund ta them, në futboll nuk mund të bësh parashikime, nuk e di edhe për sa kohë do të luaj. Unë gjithsesi ndihem i kompletuar për ato çfarë kam arritur me Shqipërinë. Jam kapiteni i kombëtares dhe kam luajtur në një kampionat europian, pasi përsa i përket trofeve, me Shqipërinë kjo gjë është e pamundur”, u shpreh Agolli.
Edhe pse është 35 vjeç te Qarabagu, Ansi Agolli po përjeton një rini të dytë. Pak ditë më parë, ai u përfshi në formacionin më të mirë të javës në Champions League. Agolli nuk e fsheh kënaqësinë, ndërsa shpreson të vazhdojë të luajë gjatë me skuadrën azere. Për momentin, kapiteni i kuqezinjve as që e mendon rikthimin në Kategorinë Superiore. “Deri tani kemi bërë paraqitje shumë të mira me skuadrën e Qarabagut në Champions League, normalisht është një kënaqësi më vete të japësh më të mirën tënde, në mënyrë që ekipi të arrijë ato objektiva që ka. Sigurisht që u ndjeva mirë që e pashë veten në formacionin e javës në Champions. Unë te Skënderbeu? Kam kontratë me Qarabagun, ndihem mirë te klubi ku jam dhe dua të qëndroj sa më gjatë aty”, tha ai.
Agolli nuk ka asnjë peng nga karriera e tij e deritanishme, ndërsa ëndërron që në të ardhmen të festojë edhe një tjetër titull kampion me Tiranën. “Nuk kam asnjë peng nga karriera ime e deritanishme. Për fat të mirë i kam arritur të gjitha ato që kam dashur dhe për të cilat kam luftuar, gjithmonë bëhet fjalë brenda mundësive. Megjithatë, kam edhe një dëshirë të fundit përpara se të var këpucët në gozhdë, të fitoj edhe një tjetër titull kampion me Tiranën, pasi ndjesitë dhe emocionet që kam përjetuar kur kam qenë pjesë e bardhebluve nuk do t’i harroj kurrë. Kam kaluar një periudhë të bukur te Tirana dhe kam ndjesi të veçanta për atë skuadër”, përfundoi Agolli.

Artikulli paraprakNuk ka paqe!
Artikulli tjetërPse po kërkohet anulimi i koncesionit të lojërave të fatit?