Afron lufta me Korenë e Veriut

Presidenti amerikan Donald Trump tha se “të gjitha opsionet janë në tryezë”, duke iu përgjigjur provës së fundit me raketë të ndërmarrë të martën në mëngjes nga Koreja e Veriut.
Në një deklaratë të bërë sot, Presidenti Trump tha se “Bota e mori të qartë mesazhin e fundit të Koresë së Veriut: ky regjim sinjalizoi përbuzjen për fqinjët e tij, për të gjithë anëtarët e Kombeve të Bashkuara dhe për standardet minimale të sjelljes së pranueshme ndërkombëtare”.
Presidenti Trump tha se, “veprimet kërcënuese dhe destabilizuese vetëm rrisin izolimin e regjimit të Koresë së Veriut në rajon dhe mes të gjitha vendeve të botës”.
Raketa e lëshuar nga Koreja e Veriut fluturoi mbi Japoni dhe ra në Oqeanin Paqësor, duke shkaktuar alarm mes zyrtarëve qeveritarë në Tokio dhe duke rritur ndjeshëm shqetësimet diplomatike rreth krizës mbi programin ushtarak të Phenianit.
Zyrtarët ushtarakë japonezë, koreano-jugorë dhe amerikanë thanë se po studionin të dhënat rreth lëshimit dhe trajektores.
Pika e lëshimit ishte pranë Phenianit, kryeqytetit të Koresë së Veriut. Raketa ra në det në lindje të ishullit Hokaido.
Zëdhënësi i Pentagonit, koloneli Rob Manning, tha se një vlerësim i hollësishëm i lëshimit nga Koreja e Veriut është në proces, por shtoi se zyrtarët e SHBA kishin konfirmuar se raketa “nuk përbënte kërcënim për Amerikën e Veriut”.
Autoritetet thanë se raketa shpërtheu gjatë fluturimit dhe ra në oqean në tre pjesë.

Seuli: Përgjigjja ndaj Veriut bashkë me SHBA

Koreja e Veriut lëshoi sot një raketë që kaloi mbi Japoni, duke zgjuar reagime të menjëhershme nga Tokio dhe Seuli, si dhe një tjetër paralajmërim nga Presidenti Donald Trump. Sipas analistëve, prova e sotme ishte e ngjashme me planet që Pheniani kishte njoftuar më parë për të lëshuar raketë mbi ishullin e Guamit, pjesë e Komunuelthit Amerikan, por që më pas u anuluan. Besohet që kjo është prova e dytë e suksesshme me një raketë me rreze të mesme veprimi që mund të përshkojë distanca 3000-5000 km.
Japonia thotë se, raketa u shpërbë në tre pjesë dhe ra në Oqeanin Paqësor, në lindje të ishullit japonez Hokaido.
Trajektorja aktivizoi sistemet e alarmit për popullatën në Japoni.
Ndërkaq, Presidenti Trump e kritikoi provën e fundit duke thënë se, Pheniani ka dëshmuar edhe këtë herë se “përbuz fqinjët, të gjithë anëtarët e OKB, dhe standardet minimale të sjelljes ndërkombëtare”. Presidenti përsëriti edhe këtë radhë se “të gjitha opsionet mbeten të hapura”.
Seuli ka thënë se po punon me Shtetet e Bashkuara për një përgjigje të përbashkët ndaj hedhjes së raketës koreano-veriore.
Zyrtarët ushtarakë japonezë, koreano-jugorë dhe amerikanë po studiojnë të dhënat rreth lëshimit dhe trajektores, por deri tani nuk ka patur njoftime rreth llojit të raketës balistike të hedhur nga Koreja e Veriut. Pika e lëshimit ishte pranë Phenianit, kryeqytetit të Koresë së Veriut. Raketa ra në det në lindje të ishullit Hokaido.
Zëdhënësi i Pentagonit, koloneli Rob Manning, tha se një vlerësim i hollësishëm i lëshimit nga Koreja e Veriut është në proces, por shtoi se zyrtarët e SHBA kishin konfirmuar se raketa “nuk përbënte kërcënim për Amerikën e Veriut”.
Raportet e para thanë se ishin hedhur tre raketa, por shpejt u konstatua se bëhej fjalë për vetëm një raketë. Autoritetet thanë se raketa shpërtheu gjatë fluturimit dhe ra në oqean në tre pjesë.
Një zyrtar në Këshillin e Sigurimit Kombëtar të SHBA i tha “Zërit të Amerikës” se, autoritetet në Uashington ishin në pritje të informatave specifike nga Komanda amerikane e Paqësorit për trajektoren dhe të dhëna të tjera të raketës koreanoveriore.
Kryeministri japonez Shinzo Abe, i cili thirri menjëherë një takim të kabinetit, tha: “Ne do të bëjmë ç’të jetë e mundur për të mbrojtur me vendosmëri jetën e popullit”.
Autoritetet në Tokio thanë se nuk ishin bërë përpjekje për ta goditur raketën, por shtuan se fjala ishte për një “kërcënim serioz dhe të rëndë ndaj sigurisë së Japonisë”.

Kina në krah të Koresë së Veriut, Rusia kundër

Tokio tha se ky aksion ishte kërcënim i “paprecedent” për Japoninë. Kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, tha se ka biseduar me presidentin Trump dhe janë pajtuar për rritje të presionit ndaj Koresë Veriore.
Ambasadori i Koresë Veriore në Kombet e Bashkuara i ka mbrojtur aksionet e Phenianit dhe tha se ato janë përgjigje ndaj ushtrimeve ushtarake që zhvillohen ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të vet në rajon.
Kina ka tërhequr vërejtjen se tensionet në Gadishullin korean kanë arritur “pikën më të lartë”, por theksoi se Uashingtoni dhe Seuli, duhet të fajësohen pjesërisht për ushtrimet ushtarake të përsëritura, me të cilat bëhet presion kundër verikoreanëve.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se Koreja Veriore “duhet t’i respektojë” rezolutat e Kombeve të Bashkuara.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së, që aktualisht ka imponuar sanksione të reja të ashpra kundër Phenianit, për testet e raketave balistike, sot më vonë gjatë ditës do ta mbajë një seancë të jashtëzakonshme.

Artikulli paraprakFaza e re e dialogut Kosovë-Serbi
Artikulli tjetërFundjavë luksi, 60 mijë euro për një dokumentar