Afera e Terit, Rama shpërblen njeriun incenerator të Kokës

Deputeti i LSI, Lefter Koka është një prej 3 deputetëve të opozitës që nuk iu bashkua inisiativës së fortë politike për dorëzimin e mandatit parlamentar.
Koka dha shpjegimet e tij për këtë refuzim, nëpërmjet një statusi në rrjetet sociale, ku pretendoi se “nuk pranon që LSI të tërhiqet nga Berisha”.
Por, përtej këtij qëndrimi politik, refuzimi i Kokës për të dorëzuar mandatin lidhet me “aferën” e inceneratorëve. Ai ka qenë ministër i Mjedisit në kohën kur janë miratuar tre inceneratorët e përpunimit të mbeturinave, në Fier, Tiranë dhe Elbasan.
Marrëveshjet për ngritjen e inceneratorëve, të cilat lidhen me emrin e një njeriu të vetëm, Klodian Zotos, janë shoqëruar me dyshime të forta për klientelizëm dhe korrupsion. Për shkak të pozicionit që ka pasur, Lefter Koka mund të jetë një prej zyrtarëve më të lartë që do të gjenden nën akuza, në rast hetimi penal mbi këto marrëveshje.
Një afrimitet me Edi Ramën, i cili nga ana e tij kontrollon tërësisht sistemin hetimor në Shqipëri, mund të jetë një kokëçarje më pak për Lefter Kokën.
E, nga ana tjetër, edhe kryeministri Edi Rama po synon t’a shpërblejë Kokën për daljen e tij nga radhët e opozitës.
Burime për “Boldneës.al” deklaruan se kryeministri Rama pritet të emërojë në postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Ujësjellës-Kanalizimeve, Alqi Bllakon, një prej njerëzve më të afërt të Lefter Kokës.

Me një moshë të re, rreth 27 vjeç, Alqi Bllako u emërua Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, kur ky institicion drejtohej nga Lefter Koka. Emri i Bllakos gjendet në procedurat dhe pagesat e kryera për inceneratorët.
“Boldneës.al” publikon, në mënyrë ekskluzive, një dokument që daton në Korrik 2017, ku Alqi Bllako, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, kërkon nga Ministria e Financave fonde shtesë për inceneratorët e Fierit dhe të Elbasanit, vetëm pak ditë para se ai të largohej nga posti.
Në shkresën nr. 5995 Prot, dt. 26.07.2017, Alqi Bllako kërkon nga Ministria e Financare “fonde shtesë në zërin e shpenzimeve kapitale në buxhetin e miratuar për Ministrinë e Mjedisit, për vitin 2017, për likujdimin e kësteve mujore për projektet: “Inceneratori i Elbasanit” dhe “Impjanti për prodhimin e energjisë nga mbetjet, Fier”.
Shtesa e fondit të kërkuar, me firmën e Alqi Bllakos, arrinte në një total prej rreth 250 milionë lekë (të reja).
Katër ditë pasi firmosi këtë shkresë, Alqi Bllako lëviz nga Ministria e Mjedisit, duke shoqëruar në këtë mënyrë largimin e Lefter Kokës nga posti i Ministrit të Mjedisit.
Më 31 Korrik 2017, Bllako emërohet Sekretar i Përgjithshëm i Presidentit Ilir Meta, i cili kishte mandatin e tij si kreu i Shtetit vetëm 10 ditë më parë.
Alqi Bllako është larguar pak muaj më parë nga posti i Sekretarit të Përgjithshëm të Presidencës, pasi synoi të angazhohej në një kompani private të huaj që operon në Shqipëri.
Por, siç duket, ai nuk ka arritur të realizojë qëllimin e tij dhe tashmë pret emërimin nga Edi Rama në postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Ujësjellës-Kanalizime, ndërkohë që njeriu i tij i afërt, Lefter Koka po ruan mandatin parlamentar.
“Boldnews.al”

Artikulli paraprakBasha me Kryesinë e PD: Axhendë e protestave për rrëzimin e Maduros së Ballkanit
Artikulli tjetërGazeta gjermane: Kosova e Serbija, pakt për ndarje etnike, Trepça privatizohet nga 5 vende