Acari çon fermerët drejt falimentimit

Temperaturat jo të zakonshme deri në minus 6 gradë në zonën më prodhuese të vendit, Lushnjë kanë shkatërruar çfarë kanë gjetur në serra. Sipas informacioneve nga terreni gati e gjithë sipërfaqja serrë është gjetur e mbjellë në këto kohë me fidanë dhe prodhime të dimrit teksa është dëmtuar domatja e vonë që furnizonte tregun aktualisht.
Ilir Mile nga Shoqata e Fermerëve Rrupaj në Lushnjë thotë se, acari ka dëmtuar të gjithë zinxhirin e prodhimeve të serrës, që nga fidanët dhe deri te perimet që ishin në vjelje.
Ai tha se këto temperatura jo të zakonshme i kanë gjetur serrat plot duke i ngrirë masivisht dhe njëkohësisht duke shkaktuar humbje të mëdha për fermerët e zonës, të cilat me shitjen e prodhimeve të dimrit bëheshin gati të përballonin kostot për mbjelljet e sezonit.
“Ditët e para u përpoqëm të përballonim ngricat duke ngrohur serrat me bombola gazi, por zgjatja e temperaturave në minus për shumë ditë e bëri të papërballueshme këtë kosto”, u shpreh Mile. Ai pohoi se serra e tij rreth dy dynymë e mbjellë me kungull u dëmtua tërësisht.
Në të njëjtën situatë gjendet e gjithë zona e Lushnjës dhe nëse situata vijon të jetë e tillë humbjet në bujqësi do të jenë të mëdha, pasi do të zgjasë sezonin e mbjelljes. Fermerët pohojnë se furnizimi në treg nuk do të ndjehet shpejt se ende ka rezerva në magazina, porse në vijim do të ndjehen mungesa pasi prodhimet e stinës, preshi, spinaqi, sallata dhe brokoli kanë ngrirë tërësisht.
Serrat në vendin tonë janë në kufijtë e primitivizmit vetëm një fije plastmas dhe përdorin vetëm ngrohjen diellore.
Bujqësia shqiptare është ekspozuar ndjeshëm ndaj ndryshimeve klimaterike. Gjithnjë e më shumë, përmbytjet, temperaturat ekstreme janë duke u shndërruar në faktorë madhorë risku, duke krijuar miliona euro humbje për ekonominë familjare. Nga ana tjetër mungojnë tërësisht mjetet mbrojtëse si sistemet e sigurimeve, subvencionet dhe kompensimet.

Artikulli paraprakSa u rrit kostoja e ndërtimit në 25 vite?
Artikulli tjetërI ftohti rrit çmimet e lëndëve djegëse