Abuzimi, rriten me 15% çmimet e cigareve

Çmimet e cigareve u rritën masivisht këtë javë me rreth 15 për qind për paketë. Të gjitha pikat e shitjes me pakicë po i shesin paketat me 30-40 lekë më shtrenjtë, duke lajmëruar se një valë e re rritje do të vijojë edhe pas Vitit të Ri.
Distributorët e mëdhenj kanë argumentuar për tregtarët si arsye kryesore të rritjes së çmimeve procesin e formalizmit.
Brenda kësaj rritje po spekulohet me ndryshimin e akcizës, e pasi rritja e pritshme për vitin 2018 përfshin vetëm cigaret e luksit purot dhe cigarillot.
Distributorët e mëdhenj pohojnë se nuk i kanë ndryshuar çmimet dhe kjo rritje po vjen si spekulim nga pakica.
Sipas shpjegimeve që japin tregtarët e pakicës formalizimi duket se është shkaku kryesor. Qeveria shqiptare tre muajt e fundit ka ndërmarre fazën e dytë të aksionit antiinformalitet.
Aksioni është përqendruar në subjektet e tregtisë me shumicë dhe pakicë, pasi sipas analizës së riskut këto janë sektorët me evazorë në vend.
Tregtarët pohojnë se kostot e formalizimit po reflektohen në çmime, pasi përveç cigareve çmimet po rriten edhe për disa artikujt ushqimorë industrialë.
Këtë javë një paketë Marlboro u shit me 330 lekë nga 320 që ishte javën e kaluar. Gjithashtu një paketë Camel kushtoi 40 lekë më shtrenjtë.
Gjithashtu çmimet e paketave Eva dhe Merita janë rritur përkatësisht me 20 dhe 40 lekë. Paketat Philip Morris kushtuan 70 lekë më shtrenjtë dhe LM 30 lekë më shumë.
Edhe pse qeveria nuk e ka ndryshuar akcizën për cigaret e zakonshme, shihet se tregu nuk po i shmanget spekulimit. Është bërë traditë tashmë që në çdo fund të vitit, çmimet e cigareve të rriten edhe pse niveli i taksimit nuk ndryshon. Tregtia e duhanit vijon të karakterizohet nga një informalitet i lartë që nga kontrabanda në dogana dhe më tej në tregtinë e brendshme.

Artikulli paraprakFaktori “Anfield”
Artikulli tjetërOfertë Milanit për të marrë Bonucci