Abuzim edhe me regjistrat, paditet Ndreca

Pasi e pushoi nga puna, ministrja teknike Mirela Karabina, e ka paditur Plarent Ndrecën në Prokurori, ky i fundit i pezulluar nga detyra e sekretarit të Përgjithshëm. Karabina ka kallëzuar në Prokurori Plarent Ndrecën për shpërdorim detyre, pasi sipas njoftimit, Ndreca ka abuzuar, duke nënshkruar një kontratë prej 86 milionë lekësh të vjetra (pa TVSH), për botime. Sipas njoftimit të Ministrisë së Arsimit, kallëzimi në Prokurorinë e Përgjithshme është bërë pasi Ndreca, në kundërshtim me aktet ligjore të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, ka firmosur si titullar i autoritetit kontraktor për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit një kontratë me një operator ekonomik. “Konsiderojmë se vazhdimi i ushtrimit të paligjshëm të funksioneve shtetërore nga ana e shtetasit Plarent Ndreca është shpërdorim i hapur i detyrës me pasoja të rënda ligjore dhe financiare për institucionin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe buxhetin e shtetit”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Ministrisë së Arsimit.
Njoftimi i plotë:
Në vijim të kallëzimit penal me Nr. 2466-M, datë 12.06.2017 për shtetasin Plarent Ndreca, për shkelje të rënda ligjore të bëra gjatë ushtrimit të detyrës së tij si sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit deri më datën 13.06.2017, titullari i këtij institucioni znj. Mirela Karabina, ka  depozituar, në Prokurorinë e Përgjithshme dhe në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, kallëzimi penal me Nr. Prot extra 12, datë 24.07.2017 për shtetasin Plarent Ndreca, i pezulluar nga detyra e sekretarit të Përgjithshëm, si dhe i shfuqizuar nga kompetencat që përmban ky funksion.
Kallëzimi është bërë për shkak se z. Ndreca në kundërshtim me aktet ligjore të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit ka firmosur si titullar i autoritetit kontraktor për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit një kontratë me operatorin ekonomik  “Albdesign PSP”, sh.p.k., me objekt: Loti I: “Shtypja dhe botimi i dëftesave, regjistrave, dhe revistës ‘Mësuesi”’, me fond limit 8’600’937 (Tetë milion e gjashtëqind mijë e nëntëqind e tridhjetë e shtatë) lekë pa TVSH.
Përdorimi abuziv i titullit “Titullari i autoritetit kontraktor të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit”, jemi të bindur se përbën vepër penale.
Konsiderojmë se vazhdimi i ushtrimit të paligjshëm të funksioneve shtetërore nga ana e shtetasit Plarent Ndreca është shpërdorim i hapur i detyrës me pasoja të rënda ligjore dhe financiare për institucionin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe buxhetin e shtetit.
Ministri i Arsimit dhe Sportit është i vendosur të denoncojë çdo rast që cenon funksionimin e institucionit, shpërdorimin e fondeve të buxhetit të shtetit, si dhe akte të korrupsionit, në institucionin që ajo drejton.

Artikulli paraprakGati vala e re e taksave për sigurinë rrugore
Artikulli tjetërFalenderimi i zonjës Odeta Nishani