Absurdi tjetër, asnjë nga kandidatët e rinj për në Kushtetuese nuk është pjesë e sistemit të drejtësisë

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei

Dje, Kuvendi publikoi listën e kandidatëve për vendin e liruar në Gjykatën Kushtetuese nga Fatos Lulo, i cili u shkarkua nga KPK.
Por njoftimi në faqen e parlamentit ngre një sërë çështjesh serioze ligjore e kushtetuese.
Si rezultat i vetingut, janë konfirmuar në detyrë vetëm 2 nga 9 gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha dhe Bashkim Dedja, ndërkohë që Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka këshilluar Komisionerin Publik të apelojë vendimin e KPK-së për konfirmimin e Dedes. Është ende e paqartë nëse Komisioneri Publik do ta pranojë këtë rekomandim.
Ndërkohë, ankesat e paraqitura nga Altina Xhoxhaj dhe Fatmir Hoxha në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit nuk janë marrë ende në shqyrtim.
Sipas nenit 125, pika 1 të Kushtetutës, 9 anëtarët e Gjykatës Kushtetuese zgjidhen nga Presidenti (tre prej tyre), nga Kuvendi (tre prej tyre) dhe Gjykata e Lartë (tre prej tyre). Në të gjitha rastet, Këshilli i Emërimeve të Drejtësisë (KED) verifikon dhe rendit kandidatët që propozohen në secilin rast. Pikërisht këtu nisin problemet.
Ligji 115/2016 mbi Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë, në nenin 234, pika 2 parashikon se Kryetari i Kuvendit i dërgon KED-së listën e kandidatëve për një vend të lirë, menjëherë pasi lista të jetë publikuar në faqen në internet të Kuvendit, sikurse ndodhi dje. Pas dorëzimit të listës së kandidatëve dhe dokumentacionit shoqërues për secilin, KED verifikon të gjithë kandidatët dhe i rendit ata në një listë, e cila më pas i kthehet Kuvendit. Ky proces verifikimi ndjek një rrjedhë strikte dhe të mirëdetajuar afatesh.
Sapo KED kthen listën e renditur në Kuvend, Kushtetuta (neni 125, pika 2) parashikon që Kuvendi ka nevojë për një shumicë prej tre të pestave të anëtarëve (84 vota) për të emëruar një prej kandidatëve në listë si anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Kuvendi mund të votojë sa herë të dojë por nëse nuk arrin të emërojë një kandidat brenda 30 ditëve, kandidati i renditur i pari në listë nga KED emërohet automatikisht gjykatës kushtetues.
Publikimi, dje, i listës së kandidatëve nga Kuvendi çon në mënyrë të pashmangshme me ballafaqimin me dy problemet e mëposhtme

1. Aktualisht nuk ka një KED funksionale, pasi, deri tani, vetëm 2 prej 9 anëtarëve që janë zgjedhur për mandatin e vitit 2018 e kanë kaluar vetingun. Edhe sikur të gjithe anëtarët dhe zëvendësuesit ende në proces vetingu të konfirmohen pa asnjë për jashtim, pra edhe në rastin më të mirë të mundshëm, KED do të ketë vetëm 5 nga 9 anëtarë. Për aq kohë sa KED nuk është e plotë me 9 anëtarë, ajo nuk do të jetë në gjendje të rendisë listën e kandidatëve të dërguar nga Kuvendi. Prandaj, KED do të shkelë padyshim disa, në mos të gjitha afatet e përcaktuara në Ligjin 115/2016, të cilat do ta bënin emërimin e gjyqtarit më pas të pavlefshëm.
2. KPK po shqyrton tashmë disa kandidatë për Gjykatën Kushtetuese, dosjet e vetingut të të cilëve janë hapur më 15 maj. Këta kandidatë pjesërisht përputhen me listën e publikuar nga Kuvendi, i cili përfshin këta kandidatë:
Elsa Toska
Fiona Papajorgji
Ilir Panda
Sinan Tafaj
Theodhori Sollaku
Valbona Bala
Vasil Bendo
Nga këta 7 kandidatë, vetëm tre prejt tyre—Toska, Papajorgji dhe Bala—po merren në shqyrtim nga institucionet e vetingut. Kjo do të thotë që 4 kandidatët e tjerë duhet të kalojnë vetingun e më pas të mund të renditen nga KED-ja. Përsëri, kjo procedurë me siguri do të çojë në shkelje të afateve të përcaktuara në Ligjin 115/2016.
Për më tepër, cilësia e listës së kandidatëve të publikuar nga Kuvendi është shumë e diskutueshme. Toska, Papajorgji dhe Bala janë këshilltarë jurdikë pa asnjë përvojë praktike në sistemin gjyqësor, ndërsa Ilir Panda e ka përjetësuar veten, kur gjatë një interviste publike për kandidaturën e tij për Këshillin e Lartë Gjyqësor, ai pretendoi se sendi më i shtrenjtë që kishte blerë ishte një stilograf 70 dollarësh. Asnjë nga kandidatët e tjerë nuk është aktualisht gjyqtar apo prokuror në sistemin e drejtësisë.
Hapat e marra nga Kuvendi mund të justifikohen duke thënë se thjesht po ndjek procedurën: ka zyrtarisht një vend të lirë në Gjykatën Kushtetuese dhe Kuvendi fillon procedurën për ta plotësuar atë. Por në këto kohëra të pasigurta, ku qeveria dhe gjyqësori shkelin ligj pas ligji, në përpjekje të dëshpëruar për të menaxhuar kaosin e krijuar nga Reforma në Drejtësi, kjo situatë e sapo krijuar është një tjetër çështje që do të shkaktojë një vorbull shkeljesh ligjore që mund të zgjidhen vetëm nga Gjykata Kushtetuese.

Artikulli paraprakKush është Ari, baxhanaku që përlan dhjetra miliona euro të taksapaguesve me tendera
Artikulli tjetërE padëgjuar, merren 16 milionë dollarë borxh për të hequr gurët e rënë në rrugën Tiranë-Elbasan