Abrashi i pafat!

Ky sezon vazhdon të jetë shumë problematik për sa u përket dëmtimeve të futbollistëve të përfaqësueses shqiptare dhe një lojtar, i cili po vuan disa të tilla të njëpasnjëshme është Amir Abrashi. Mesfushori, dy javë më parë pësoi një traumë dhe përfundoi në spital, pasi përplasi kokën në shtyllën e portës gjatë stërvitjes, ndërsa tersi e ka ndjekur edhe sot në ndeshjen që Fraiburgu luajti në Bundesligë kundër Augsburgut.
Abrashi, i kthyer përsëri mes titullarëve për skuadrën e tij, ka ndjerë dhimbje në këmbën e djathtë pas një përplasjeje në mesfushë. Ai i bëri fillimisht stafit të skuadrës shenjë se mund të vazhdonte rregullisht ndeshjen. Por më pas, kërkoi zëvendësim, duke treguar se e kishte të pamundur të qëndronte në fushë dhe se dëmtimi mund të ishte më serioz sesa e mendonte. Ndaj mesfushori i përfaqësueses shqiptare ka dalë nga loja në minutën e 17 të takimit që skuadra e tij e fitoi me shifrat 2-1. Pritet që në ditët në vijim të shihet shkalla e këtij dëmtimi dhe sa kohë do t’i duhet lojtarit të pushojë për riaftësimin pas këtij dëmtimi.
Në një periudhë, kur Kukeli vazhdon të jetë i dëmtuar dhe Kaçe ka një përplasje me trajnerin De Biazi, një dëmtim afatgjatë i Abrashit do të krijonte shumë probleme për mesfushën e kombëtares shqiptare para ndeshjes vendimtare me Izraelin në nëntor.
Ndërkohë, Borussia e Dortmundit nuk di më të fitojë në kampionat. Skuadra e Thomas Tuchel u mjaftua me vetëm një pikë në transfertën e AudiSport Park përballë Ingolstadit, duke rikuperuar një disavantazh prej dy golash për të evituar humbjen e dytë në 3 javët e fundit. Përfundoi gjithçka me një festival golash me Dortmundin që regjistroi barazimin e dytë radhazi, duke u ngjitur në kuotën e 14 pikëve. 3-3 ishin shifrat finale të këtij takimi me të riun Pulisic, që i dha një pikë Dortmundit në çastet e fundit. Cohen dhe paraguajani Dario Lezcano u dhanë avantazhin e dyfishtë vendasve pas vetëm 24 minutash lojë. Në pjesën e dytë, nisi kthesa me Aubameyang që ngushtoi shifrat në të 59-ën. Por vetëm pak sekonda më pas, Lezcano gjeti golin e dytë personal për ta çuar rezultatin në 3-1. Gjithsesi, miqtë nuk u dorëzuan. Fillimisht, Adrian Ramos dhe më pas Pulisic me golat e tyre evituan humbjen e Borussias.
Vazhdon momenti jo për Bayer Leverkusen. Në “BayArena”, Asprinat pësuan një humbje të rëndë me rezultatin 0-3 nga Hoffeinheim që me këtë fitore fluturoi në vendin e 3-t. Nisi gjithçka në malore për Bayer Leverkusenin që pas vetëm 6 minutash lojë mbeti me një lojtar më pak pas daljes me karton të kuq të ishit të madh të kësaj sfide sulmuesit Kevin Volland. Në minutën e 15-të Hoffeinheim zhbllokoi shifrat me Demirbay-in që mposhti portierin Leno. Në fillimin e pjesës së dytë, skuadra e Nagelsmann dyfishoi shifrat Sandro Wagner-in, ndërsa për të hipotekuar suksesin e Hoffenheim-it mendoi Zuber që në të 60-ën realizoi edhe golin e tretë për miqtë. Në sfidat e tjera të javës së 8-të u regjistruan këto rezultate.

Artikulli paraprakDëmtim horror i Iniestës, shumë muaj jashtë fushe
Artikulli tjetërMourinho kthehet në Londër si “armik”