Abrashi është gati për sezonin e ri: Eksperienca në Euro 2016, unikale

“Këtë verë nuk do ta harrojë kurrë”. Me këtë fjali gazeta “Bild” e nis përshkrimin e momentit magjik që po kalon Amir Abrashi. Në një intervistë me lojtarin shqiptar, e përditshmja gjermane ndalet te ecuria fantastike e Fraiburgut që siguroi ngjitjen në Bundesliga dhe europiani i Shqipërisë ku padyshim, Abrashi ishte një nga lojtarët më të rëndësishëm për mesfushën e Gianni de Biasit. Abrashi u bashkua me klubin e tij për të nisur fazën përgatitore në Schruns të Austrisë dhe tashmë objektivi i tij është e ardhmja me klubin edhe pse kujtimet e Euro 2016 do të mbeten gjatë në kujtesën e tij.
“Me Shqipërinë përjetova një eksperiencë unike që do ta kujtoj për shumë kohë. Ndërrova fanellat me Dimitri Payet dhe Xherdan Shaqirin, por përtej kësaj, mund të them se momentet që kalova me kombëtaren ishin vërtet fantastike”, thekson Abrashi. Pas europianit, ndalesa e parë ishte Spanja ku kaloi disa ditë nën rrezet e diellit dhe më pas Kosova, vendi ku janë rrënjët e tij. “Gjyshja ime më bëri një trajtim të veçantë. Ajo gatuan ushqim tradicional, por ndoshta edhe me pak më shumë yndyrna se sa norma e lejuar”, thekson me humor mesfushori që këtë sezon do të debutojë në arenën e më të fortëve të futbollit gjerman. Në fund të intervistës, 26-vjeçari i lindur në Zvicër, thekson se ndeshjet kundër Borussias së Dortmundit dhe Schalkes do të jenë vërtet të veçanta për atë dhe skuadrën e Fraiburgut, ndërsa ai shpreson që fanella e radhës që do të shtojë në muzeun e tij personal, të jetë ajo e shokut të kombëtares, Mërgim Mavraj.

Artikulli paraprakAjeti titullar në miqësoren e Torinos
Artikulli tjetërPogba në Torino